Koalicioni, 'nën hetime'
Për afro dy vjet koalicioni qeverisës PDK - LDK është përballur me sfida të shumta. Përveç mosarritjes së objektivave qeveritare, siç është liberalizimi i vizave dhe dështimi për ta formuar ushtrinë e vendit, ky koalicion ka pasur probleme jo të vogla edhe me drejtësinë.
Disa deputetë nga të dyja partitë gjatë këtyre dy vjetëve në mënyrë të vazhdueshme janë përballur me ligjin e madje disa edhe janë dënuar.
Më e prekur në këtë drejtim është Partia Demokratike e Kosovës, e cila nga 35 deputetë sa ka gjithsej, pesë prej tyre janë ballafaquar me drejtësinë.
Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Azem Syla, Fadil Demaku dhe së fundmi edhe shefi i Grupit Parlamentar Adem Grabovci kanë qenë “nën llupën” e Prokurorisë dhe të Gjykatës.
Analistët politikë në Kosovë thonë se figura e deputetit duhet të jetë e pastër moralisht dhe politikisht, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Ndërkohë zyrtarë nga opozita kosovare kanë vlerësuar se problemet e politikanëve me drejtësinë janë një mesazh i keq dhe një dukuri shqetësuese.
"Për këto çështje është Ligji Zgjedhor dhe KQZ-ja e ka në dorë të vendosë a ka shkelje ligjore a jo”, ka thënë për “Zërin” deputeti i PDK-së, Nait Hasani.
Eksperti për çështje kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë për “Zërin” se personat e përfolur apo të implikuar në afera nuk do të duhej lejuar për t’u evidencuar në listat e kandidatëve për deputetë.
“Figura e deputetit medoemos duhet të jetë e pastër moralisht e politikisht dhe me plot integritet dhe të kaluar të dinjitetshme. Po ashtu deputeti dhe deputetja do të duhej të ishin profesionalistë të konfirmuar. Kjo pasi nga ata kërkohet dhënia e kontributeve të vazhdueshme në favor të trajtimeve serioze të çështjeve dhe problemeve socio-ekonomike, politike, arsimore, shkencore”, ka thënë Smaka.
Ndërkaq analisti Blerim Burjani ka thënë se kjo do të duhej në radhë të parë të rregullohet me Ligjin për Partitë Politike. “Do të duhet të rregullohet me ligj kjo çështje, jo me vullnet të lirë të partive politike t’ia bëjnë si të duan. Pra, persona të tillë më nuk e kanë vendin për kandidim për poste publike. Partitë asnjëherë nuk është dashur të kandidojnë me njerëz të tillë. Edhe partitë opozitare kanë njerëz të cilët kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë vuajtur dënimin me burg e sot janë deputetë. Këto janë absurde, persona të tillë nuk kanë të drejtë të udhëheqin popullin e njëkohësisht të kenë rënë ndesh me ligjin”, ka thënë Burjani. Ai ka thënë se asnjë parti nuk duhet të kandidojë njerëz në zgjedhjet e ardhshme nëse ata paraprakisht kanë probleme me ligjin.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se AAK-ja ka një qëndrim të prerë që personat të cilët janë nën aktakuzë të konfirmuar nuk do të duhej të kenë mundësi të jenë në asnjë listë për t’u zgjedhur. “Ne si AAK kemi një qëndrim të prerë që personat të cilët janë nën aktakuzë të konfirmuar, jo vetëm që të mos ushtrojnë poste publike, por që as të kenë mundësi të jenë në kurrfarë listash për t’u zgjedhur”.
Nitaj ka shtuar se fakti që drejtësia merret me persona të cilët kanë poste publike është një mesazh i keq. “Pa provuar që të përzihem në punën e drejtësisë, vetë fakti se drejtësia merret me njerëz të cilët kanë poste publike ose janë të zgjedhur, qoftë deputetë, qoftë kryetarë komunash, është një mesazh i keq dhe një dukuri shqetësuese”, ka thënë ai.