“Home sweet home” synon nominimin në Oscar

Qendra Kinematografike e Kosovës ka zgjedhur ta propozojë filmin “Home sweet home” në Akademinë Oscar, për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj.

Ky film tregon historinë e Agronit, ish ushtarit të UÇK-së, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur. Pasi kthehet në shtëpi ai përballet me rrethin, të cilët emrin e tij e kanë përdorur për përfitime personale. Donat Qosja, Arta Muçaj e Shkumbin Istrefi janë disa nga aktorët që paraqiten me rolet e tyre në këtë film.

“Home Sweet Home” është prodhim i kompanisë filmike “Cineproduction” dhe “Arnel Production” me producentë Trim Musliu dhe Senad Abduli, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Agjencia e Filmit në Maqedoni.

Regjisori Faton Bajraktari, për të cilin ky është filmi i tij debutues, flet në një intervistë për Zërin për rrugëtimin e këtij filmi drejt akademisë prestigjioze.

Zëri: “Home sweet home” është filmi juaj debutues i metrazhit të gjatë dhe u propozua për Ocsar. Çfarë do të thotë kjo për ju si regjisor?

Natyrisht intenca e çdo regjisori është që produkti i tij të jetë sa më afër konsumatorëve të artit, në këtë rast të filmit. Dhe kur ky produkt kalon përmasat e asaj që ne themi vlerë lokale padyshim për një regjisor është përgjegjësi dhe obligim që të ruaj dhe kultivoj vlerat artistike. Sidomos kur një vepër nominohet për në një eveniment të karakterit botëror siç është Oscar

Zëri: Çka prisni nga ky propozim?

Më duhet të kaloj mbi natyrën time, modestinë, të them se besoj në nominim.

Zëri: A ishte sipas jush Festivali Karlovy Vary një ogur i mirë për filmin? Çfarë eksperience ishte shfaqja atje?

Duke pasur parasysh që Festivali i Filmit Karlovy Vary është i kategorisë A dhe një prej më të vjetërve në botë, ku pikërisht aty filmi pati premierë botërore dhe pati kritika prej me të mirave nga audienca, kritikët e filmit dhe mediet. Padyshim se ishte i një rëndësie të posaçme për suksesin që pasoi.

Zëri: Filmi paraqet shoqërinë kosovare në periudhën e pasluftës. Çka ju ka frymëzuar dhe a janë personazhet tuaja reale?

Situatat e pasluftës ose postkonfliktuoze kanë të thuash një emërues të përbashkët, socializimi apo risocializimi i pjesëmarrësve në konflikt, duke u bazuar në këtë fakt lirishit mund të them se filmi ka një temë universale. Andaj besoj se krijimi i kësaj situate të pasluftës në Kosovë nuk ka të bëjë me fatin e individit apo familjes në nivel lokal, por duke përfshirë shoqërinë në përgjithësi.

Zëri: Kasta e aktorëve ka një laramani që nga aktorët me përvojë e deri të më të rinjtë. Si ka qenë eksperienca juaj me ta?

Duke iu referuar të madhit Spielberg pyetjes se ku qëndron çelësi i suksesit tuaj ai është përgjigjur thjesht "Në përzgjedhje". Unë personalisht them në përzgjedhje dhe në fat. Them në fat meqë roli kryesor Agroni të ketë në film vajzën e tij biologjike, kështu që ky raport i aktorëve ka qenë segment shumë i rëndësishëm për frymën e natyrshme të filmit.

Zëri: Së fundi filmi ishte edhe pjesë e programit të kinemasë ABC. Çfarë komentesh keni marrë nga ata që e kanë përcjellë?

E keni parasysh se filmi ka një temë sensitive të llojit të vet dhe nuk kam prit shumë nga shikuesit, por ndodhi e kundërta, shikuesi e vlerësoi shumë dhe

më dhanë forcë të vazhdoj dhe më tutje. Komentet e shikuesve ishin prej më të mirat në raport me temën, shqyrtimin artistik, etj . Kjo më ka dhënë vullnet qe të jem ende më afër sukseseve te ardhshme të filmit.

Zëri: Cila ishte vështirësia me e madhe gjatë realizmit të filmit?

Filmi është një prej arteve me komplekse, sepse ngërthen në vete disa arte të cilat në fund duhet të frymojnë njëjtë dhe ato e ndërtojnë filmin. Kur i kemi parasysh këto elemente artistike si pikënisje në film është skenografia e filmit. Konsideroj që skenografia ka qenë sfida e parë, sepse pas shumë analizave me producentin Trim Musliu vendosëm ta ndërtojmë komplet skenografinë nga fillimi, pra ne për këtë film ndërtuam një shtëpi me komplet infrastrukturën e filmit e që është rast shumë i rralle të ndërtohet nga fillimi. Sfidë tjetër është shqyrtimi regjisorial, sepse i tërë filmi është enterier dhe ngjarja zhvillohet brenda një objektit e që në parim është shumë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me mundësi të kufizuara të shqyrtimit regjisorial e që në fund ta mundim monotoninë, e cila shumë lehtë ka mundur të krijohet brenda filmit .

Zëri: A jeni duke punuar në ndonjë projekt tjetër aktualisht? Nëse po, na zbuloni më shumë për të.

Dua ta zbuloj tek ju se filmi im i ardhshëm është filmi “Morea”, jam në fazën e paraproduksionit, ku për më shumë detaje do të flasim me kohë.