Problemet e Evropës, fatale për Kosovën

Sfida me numrin e madh të refugjatëve dhe frika nga terrorizimi kanë trazuar jo pak Bashkimin Evropian. Ndërsa referendumi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja i ka dridhur themelet e këtij institucioni, i cili llogaritet ekonomia më e madhe në botë. Euroskepticizmi është në rritje e sipër ndërsa tani janë edhe zyrtarë të rëndësishëm të cilët pranojnë se ky institucion edhe mund të shpërbëhet.

“Po, Bashkimi Evropian mund të dështojë. Nëse ne nuk jemi të kujdesshëm, BE-ja mund të shpërbëhet”, ka thënë së fundmi presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në një intervistë për “Allgemeine Zeitung”. E sipas Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës, pasojat pritet t’i ndiejë edhe Kosova në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, përkatësisht për fazën finale, ku vendimi është politik.

Në anën tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se këto probleme janë shfaqur në një periudhë shumë të keqe për Kosovën pasi që BE-ja aktualisht ka ndaluar procesin e zgjerimit.

 MIE: Situata aktuale, shumë negative për vizat

Se Bashkimi Evropian po kalon nëpër një fazë tejet të vështirë, mbase më të vështirën që nga themelimi, e ka të qartë edhe Ministria e Integrimit Evropian e Kosovës. Zëvendësministri i kësaj Ministrie, Ramadan Ilazi, për “Zërin” ka thënë se parimet kryesore të BE-së po sfidohen shumë.

“Brexit dhe kriza me refugjatët po keqpërdoren nga forcat politike të ekstremit të djathtë për të fuqizuar opozitën ndaj BE-së dhe për të nxitur një klimë frike e racizmi. Solidariteti si bosht kryesor i vlerave të Bashkimit Evropian po sfidohet seriozisht”, ka thënë Ilazi.

Sidoqoftë, ai ka shtuar se me gjithë këto zhvillime zotimi i BE-së ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet i fuqishëm.

“Kjo më së miri u konfirmua në Samitin e Parisit të korrikut të këtij viti, ku liderët kryesorë të BE-së përsëritën që e ardhmja e Ballkanit është në BE. Mirëpo, sigurisht që përderisa ka përkrahje për të ardhmen evropiane të Ballkanit, kjo përkrahje vështirë të përkthehet në rezultate nëse forcat politike proevropiane në BE nuk do të fuqizohen dhe të adresojnë me sukses sfidat e emigrimit dhe pasojat e Brexit”, ka thënë Ilazi.

Sipas tij, një test i rëndësishëm për BE-në dhe për politikën e zgjerimit do të jenë zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Francë dhe në Gjermani, ndërsa sa i përket Kosovës thotë se fati ynë në aspekt të integrimit evropian lidhet me fatin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Imazhi për vendet e Ballkanit është jashtëzakonisht negativ në shtetet e BE-së dhe kjo e bën pastaj edhe më të vështirë përkrahjen për ne, prandaj konsideroj se duhet një strategji e përbashkët rajonale për të përmirësuar imazhin dhe për t’i dhënë kredibilitet shtesë procesit të integrimit evropian dhe politikave të kushtëzimit në sytë e politikanëve dhe qytetarëve në shtetet e BE-së”, ka thënë Ilazi.

Ai e ka pranuar se procesi i liberalizimit të vizave është dëmtuar jo pak.

“Për Kosovën situata aktuale mund të ketë një ndikim të veçantë, tejet negativ për procesin e liberalizimit të vizave, përkatësisht për fazën finale ku vendimi është politik”, ka thënë Ilazi.

Pavarësisht kësaj, Ilazi ka thënë se alternativë ndaj BE-së Kosova nuk ka dhe nuk duhet të ketë.

“Por çfarë duhet të bëjmë, më mirë është të përmirësojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin tregtar rajonal. Një çështje tjetër shqetësuese është se si ne e shohim procesin e integrimit si një proces i shkëputur nga sfidat e brendshme dhe kjo duhet të ndryshojë në mënyrë që ne të shohim procesin e integrimit evropian për atë se çfarë në realitet është, proces i reformave të brendshme”, ka përfunduar Ilazi.

Ismajli: BE-ja do të shpërbëhet

Nga ana tjetër Dashnim Ismajli, profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka vlerësuar se BE-ja tanimë është duke u ballafaquar me probleme të shumta, probleme këto që, sipas tij, do të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit të Kosovës.

“Mendoj se tashmë vërehet qartë se Unioni Evropian me këtë pasiguri që ka nuk mund të zgjerohet. Andaj, kjo shkon gjithashtu edhe në dëm të vendit tonë, po edhe të vendeve rajonale që pretendojnë të bëhen pjesë e këtij Unioni”, ka deklaruar ai duke shtuar: “Tashmë edhe stërzgjatja e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën është po ashtu një sinjal i fuqishëm se brenda këtij Unioni nuk ka vullnet politik për të vazhduar në këtë mënyrë”, ka theksuar ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Ismajli gjatë bisedës ka thënë se moskryerja e “punëve të shtëpisë” nga Kosova (ratifikimi i Demarkacionit dhe luftimi i korrupsionit) vetëm sa i shkon në favor BE-së për ta stagnuar procesin e liberalizimit të vizave. Prandaj, ai thotë se Kosova duhet të bëjë një analizë të hollësishme veprimi sa më shpejt që është e mundur.

“Kosova duhet të bëjë një analizë të saj më të hollësishme veprimi dhe duhet t’i qaset bashkëpunimit rajonal, ndërkombëtar duke lidhur marrëdhënie bilaterale dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar me shtete të ndryshme. Pra, të mos presë se çka do të ndodhë me BE-në”, ka thënë Ismajli. Krejt në fund ai ka thënë se BE-ja do të shpërbëhet.

“Unë dyshoj se Bashkimi Evropian do të funksionojë dhe do të jetë i qëndrueshëm sipas këtij organizimi. Mendoj se Evropa do të shpërbëhet dhe do të krijohen blloqe bashkëpunimi ndërmjet vendeve evropiane që do të funksionojnë në kontekste regjionale, si p.sh: Skandinavia, Evropa e Mesme, Evropa Lindore, Ishulli Britanik dhe Ballkani”, ka përfunduar ai. 

Ndërkaq Artan Murati, hulumtues i lartë në KDI, njëherësh njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka vlerësuar se pos integrimit, Kosova nuk mund të ketë alternativë më të mirë. Andaj, ashtu si ai është shprehur, Kosova duhet të jetë krejtësisht e koncentruar drejt BE-së. Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se nga problemet me të cilat po ballafaqohet Bashkimi Evropian, mund të pësojë edhe Kosova.

“Normalisht se të gjitha këto fakte kanë ndikim dhe në parim mund ta ngadalësojnë rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE”, ka deklaruar ai.
Murati më tutje ka vlerësuar se Kosova ka shënuar ngecje të vazhdueshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu si ai është shprehur, nëse rrjedha e ngjarjeve shkon në këtë mënyrë Kosova do të ketë probleme edhe në procesin e liberalizimit.

“Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha drejt rrugës për në BE, duke përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes”, ka thënë ai.

 Hoti: Për BE-në parësore është sfida me euroskeptikët

Këshilltarja politike në Parlamentin Evropian për delegacionin e partisë Socialdemokratike të Suedisë, Blerta Hoti, ka thënë për “Zërin” se BE-ja aktualisht ka të tjera çështje primare ndaras prej atyre të zgjerimit.

“Problemet rritur me ksenofobinë, mungesën e përgjegjësisë së shteteve anëtare për t’u përballuar më sfidën e refugjatëve, rritjen e euroskepticizmit, frika ndaj terrorizimit dhe dalja e Britanisë kanë bërë që vëmendja kryesore e politikanëve të BE-së është e lidhur më ngushtë me këto sfida. Madje euroskeptikëve po u jepen argumente të mjaftueshme për të mos qenë pro zgjerimit të BE-së”, ka thënë Hoti. Sipas saj, kjo lidhet ngushtë me procesin integrues të Kosovës.

“Këto politika të BE-së kanë efekte edhe lidhur me procesin e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian. Po reflekton edhe te liberalizimi i vizave ku politikanët e djathtë të grupit parlamentar EPP në Parlamentin Evropian vendosën për të votuar kundër mandatit për negociata ndërinstitucionale të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Hoti.

Muharremi: Emigrimi dhe terrorizmi nuk kanë efekt vdekjeprurës për BE-në

Pavarësisht këtyre njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, ka vlerësuar se BE-ja shpeshherë ballafaqohet me sfida, por kjo, sipas tij, nuk përbën diçka të re. “Bashkimi Evropian vazhdimisht përballet me sfida nga më të ndryshmet dhe kjo nuk është asgjë e re. Kemi pasur më herët krizën financiare, pastaj krizën rreth të ashtuquajturës ‘Kushtetutë të BE-së’. Pra, vetë zhvillimi dhe integrimi i BE-së shkakton efekte krize”, ka deklaruar ai.

Sipas Muharremit, rasti i referendumit për largimin e Mbretërisë së Bashkuar është rasti më i fundit që ka sjellë huti dhe pesimizëm, por, sipas tij, bashkësia e vendeve evropiane gjithmonë ka përdorur krizat për ta avancuar integrimin e vetë BE-së.

“Në përgjithësi, emigrimi dhe terrorizmi janë probleme për BE-në, por nuk besoj që do ta kenë një efekt 'vdekjeprurës' për Bashkimin Evropian. Thjesht, vendet e BE-së janë më mirë të bashkuara ekonomikisht sesa të ndara dhe aty është leverdia e tyre”, ka shtuar ai.

Sipas Muharremit, Kosova po ka vështirësi të avancojë drejt Bashkimit Evropian, pasi po ka mungesë vullneti nga ana e udhëheqësve kosovarë.
“Nuk mund ta analizojmë sa do të zgjasë ky proces, por në bazë të asaj që kemi parë deri më tash, fjala është fatkeqësisht për periudha të gjata të paparapara kohore. Kjo kryesisht për shkak të qeverisjes së keqe”, ka theksuar ai për “Zërin”. Muharremi në vazhdim ka thënë se Kosova nuk po ecën aspak sikurse vendet e rajonit. Përkundrazi, siç ka deklaruar ai, taborët politikë në Kosovë po parapëlqejnë të merren me njëri-tjetrin. 

 Ballkani Perëndimor, problem dytësor për BE-në

Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se problemet e Bashkimit Evropian (Brexiti anglez, refugjatët, kriza financiare) janë bërë shkas që problemet e shteteve të rajonit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, të rangohen si dytësore.

“Ato kanë bërë që BE-ja të merret me vetveten dhe çështjet e tjera të jenë dytësore. Rrjedhimisht, edhe procesi integrues për shtetet e Ballkanit tanimë nuk paraqet prioritet për BE-në”, ka thënë ai. Sipas Ajetit, integrimi duhet të shihet si rrugë për transformimin e republikës në një shtet funksional, ligjor me kushte të barabarta për të gjithë. Ndërkaq, ka thënë se udhëheqësit politikë në Kosovë duhet të gjejnë një kompromis për t’i shtyrë këto çështje përpara.

“Politikëbërësit duhet të gjejnë një gjuhë konsensuale dhe një pajtim të përgjithshëm, duke mos bllokuar këto procese për përfitime politike”, ka thënë Ajeti.

Nga ana tjetër analistja politike, Besa Shahini, ka thënë se nuk është e lehtë që Kosova, bashkë me vendet e tjera fqinje, të hyjë në BE pasi që, ashtu si ajo ka deklaruar, pjesa e Ballkanit Perëndimor ka vendet më të varfra që kanë tentuar të hyjnë në këtë bashkësi.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet më të varfra që ndonjëherë kanë mësyrë integrimin në BE. Dhe kjo i bën ato të papërshtatshme për një BE në krizë, siç është kjo sot”, ka deklaruar ajo për gazetën “Zëri”. Sipas Shahinit, Kosova nuk njihet nga 5 vende të BE-së, andaj edhe anëtarësimi në të është mjaft i vështirë. “Derisa nuk e njohin Kosovën të gjitha vendet anëtare, ajo nuk ka mundësi për integrim në BE, pa marrë parasysh se çka ndodh me BE-në”, ka theksuar ajo.