“Trepça”, pa plan për riorganizim
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pavarësisht se ka kryer disa nga punët që të bëjë planin për riorganizimin e “Trepçës”, nuk dihet nëse një dokument i tillë, do të jetë i gatshëm më 1 nëntor të këtij viti, ashtu siç kërkohet me ligj. Edhe Qeveria gjatë muajit prill ka formuar komisionin ndërministror për hartimin e draft-ligjit për “Trepçën”, por që ende një dokument i tillë nuk ka kaluar në Qeveri.
Nëse deri në nëntor të këtij viti asnjëri nga dokumentet nuk hartohet, atëherë “Trepça” rrezikohet të shkojë në likuidim.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se për këtë çështje duhet drejtuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ku nga kjo e fundit gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje. Por, burime te gazetës brenda Ministrisë kanë bërë të ditur se një dokument i tillë nuk është dërguar në Qeveri pasi që nuk është finalizuar në tërësi.
Ndërsa, Ahmet Tmava, drejtor i kësaj kompanie, ka thënë se “Trepçës” i duhet një zgjidhje urgjente. Ai thotë se edhe pse ka vonesa në draft-ligjin për “Trepçën” nuk beson se kjo ndërmarrje mund të shkojë në likuidim. “Para ca ditësh i kishim në vizitë edhe ambasadorin amerikan, i cili dha një mesazh për përkrahje për status. Institucionet tona janë në dijeni që afati është i limituar, ne jemi në kontakt që deri në afatin ligjor, d.m.th deri në nëntor, ligji do të procedohet”, ka thënë ai. Në anën tjetër zyrtarë të Agjencisë së Privatizimit kanë thënë për gazetën “Zëri” se kanë kryer disa detyra që janë paraparë me ligj. Sipas tyre, Agjencia është në koordinim me institucionet përkatëse që të mundë të kërkojë edhe afat shtesë nga institucionet. “AKP-ja është në koordinim të plotë me institucionet qendrore dhe vendimet lidhur me veprimet e mëtutjeshme për të adresuar një çështje të tillë do të merren me kohë”, thuhet në përgjigje. Sipas tyre, Agjencia ka iniciuar dhe koordinuar punët për përgatitje të raportit të rezervave të xehes së “Trepçës”, është iniciuar dhe koordinuar përgatitja e raportit/regjistrit të aseteve nga dy menaxhmentet e ndërmarrjes “Trepça”. Gjithashtu, sipas tyre, bordi ka sjellë vendim për themelimin e komisionit për analiza-shqyrtim preliminar të kërkesave kreditore. Gjithashtu ka sjellë vendim për inicim të studimit të fizibilitetit që do të jetë bazë orientuese për qasje strategjike për NSh “Trepça” - Ndërmarrje në administrim të AKP-së, ku është publikuar tenderi publik për angazhim të ofruesit profesional të shërbimeve për studimin e fizibilitetit.