Të 'mëdhenj' e të 'vegjël', gati të luajnë për Kosovën

Në koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës, futbollistët kanë filluar t’i deponojnë në FIFA kërkesat e tyre për të luajtur për Përfaqësuesen e Kosovës. Duke mos zbuluar emra, përzgjedhësi Albert Bunjaki tregon se në mesin e këtyre lojtarëve që i janë drejtuar FIFA-s ka edhe prej atyre që janë pjesë e kombëtareve tjera. Deri në javën e ardhshme Bunjaki beson se do të marrë nga FIFA një listë me emrat e 50 futbollistëve, të cilët do të kenë të drejtë të luajnë për Kosovën në eliminatoret e Botërorit

Zviceranët vazhdojnë të insistojnë se yjet e tyre, Behrami, Shaqiri, Xhaka e Tarashaj, do të vazhdojnë të luajnë për Përfaqësuesen “Helvetike”, ndërsa vendet tjera shpresojnë të mos ju largohen futbollistët nga Kosova.

Mirëpo, përzgjedhësi Albert Bunjaki insiston se të gjitha mundësitë janë të hapura, duke ua lënë dyert çelur të gjithë futbollistëve që duan t’i bashkohen Reprezentacionit të Kosovës.

Madje, ai i fut në këtë “thes” edhe yjet e Zvicrës, duke i hedhur poshtë shkrimet e medieve zvicerane, shkruan sot gazeta Zëri.

“Derisa shkruajnë aq shpesh, kjo nuk është një shenjë e mirë për ta. Nuk është marrë asnjë vendim deri më tash as për Behramin e as për të tjerët. Sidoqoftë, secili lojtar do të vendosë për veten e tij. Unë e kam postuar edhe një letër, përmes së cilës tregohet ndjenja ndaj atdheut, që e kam lidhur me futboll. Ishin 25 vjet vuajtje, izolim. Ka ardhur koha edhe për ne”, ka thënë Bunjaki për “Zërin”.

“Unë e kam një grup interesant futbollistësh, i cili ka bërë paraqitje të mira në miqësoret që i kishim. Por, mund të pasurohemi me ndonjë lojtar. Këtë do ta dëshironte çdo trajner”, vazhdoi ai.

Bunjaki në pritje të lejes nga FIFA për 50 futbollistë

“Zëri” mëson se disa futbollistë e kanë deponuar kërkesën në FIFA, në koordinim me FFK-në, për ta ndërruar ekipin kombëtar. Kërkesat personale janë bërë nga lojtarët, së cilave ua kanë bashkëngjitur kërkesën e FFK-së, pra kjo konsiderohet si një lëndë pasi shkojnë të koordinuara.

“Mirëpo, kjo punë është ende në proces dhe ka edhe shumë kërkesa të tjera që duhet të dërgohen këto ditë”, thotë një burim i gazetës. Burimi i njëjtë njofton se FIFA do ta japë në ditët në vijim përgjigjen për secilin lojtar, nëse ka të drejtë ta ndërrojë përfaqësuesen.

“Unë pres që javën tjetër ta kem një listë prej 50 futbollistësh. Jemi të hapur për rritje të konkurrencës dhe i mirëpresim të gjithë ata që duan të na bashkohen. Mendoj se federatat përkatëse nuk duhet t’i parandalojnë lojtarët, pasi ky do të ishte diskriminim. Ne kemi shumë nevojë për t’u promovuar, që të na shohë bota. Pse jo, edhe ndonjë lojtar nga Shqipëria mund të vijë të luajë për ne, përpos atyre nga Kosova”, ka theksuar selektori Bunjaki për Zërin.

Thirrja e Bunjakit

Përzgjedhësi Bunjaki e ka zgjedhur një mënyrë shumë unike për ta dërguar një mesazh jashtëzakonisht të fuqishëm tek të gjithë futbollistët kosovarë! Ai e ka përdorur poezinë “Unë, Biri Yt, Kosovë”, të poetit Ali Podrimja, e cila ia kishte mbushur sytë me lot edhe vetë trajnerit kosovar, kur e kishte lexuar.

“Unë, Biri Yt, Kosovë

Unë biri yt Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,

t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,

t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,

t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara,

ta di gjakun që të vlon në gji,

dallgën kur të rrahë netëve t’ pagjumta

e të shpërthej do si vullkan:-

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë

Unë biri yt.

Trego se Ti je biri i Kosovës që do t’ia zgjosh ëndrrat e fjetura me shekujt, t’ia zgjosh gëzimet e munguara nga vdekjet e vuajtjet. E di se edhe ty të vlon gjaku në gji, sepse shumë net ke mbetur pa fjetur! Por tash mund të shpërthesh si vullkan, sepse ti je bir Kosove!

Shokët tu tjerë e bënë më herët, sot është radha yte! Bashkohu me ta, lartësoje vetën, nderoje Kosovën!

Sot është koha, nesër mund të bëhet vonë”. /Zëri/