Mjerimi i kryeqytetit (VIDEO)

Aktuale June 29, 2016 - 08:15

Familja Hyseni nga Bardhoshi i Prishtinës ka më shumë se një muaj që jeton në një tendë. Dhimbjen e kësaj familjeje të varfër e shton edhe më shumë sëmundja e zonjës së shtëpisë

Afërsia me kryeqytetin nuk ka ndonjë rëndësi në jetën e familjes Hyseni nga fshati Bardhosh. Ata jetojnë në qiell të hapur dhe pa u përkrahur nga asnjë institucion.

Familja katëranëtarëshe është lodhur nga varfëria dhe dhimbjen e tyre e shton edhe më shumë sëmundja e zonjës së shtëpisë.

Gjithë familja jeton nën një tendë, që ua bën të vështira ditët, si kur përcëllon i nxehti, ashtu edhe kur ka të reshura shiu.
Selman Hyseni, 40-vjeç, rrëfen për “Zërin”, situatën nëpër të cilën ka kaluar gjithë këto vite duke shpresuar në ardhmëri.

Ai thotë se kishin jetuar për nëntë vite në kontejner në lagjen “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë. Por, më vonë ai kishte larguar familjen nga aty. Largimi nuk ishte i zakonshëm, pasi nga vuajtja e gjithë familja kishte marrë një rrugë sa të rrezikshme, po aq të frikshme, e që ishte rruga ilegale për në Gjermani.

Arritja atje nuk ua kishte siguruar një jetë më të mirë dhe në pamundësi të të bërit një

zgjidhje e gjithë familja detyrohet që të kthehet sërish në Prishtinë.

U kthye nga Gjermania, jeton nën tendë

Kthimi ishte më i dhimbshëm për faktin se tashmë për ta, strehimi i vetëm ishte një tendë e vendosur në fshatin Bardhosh, të cilën ata u detyruan që ta siguronin vetë.

“Më 6 janar të 2015-s, i kam shitur disa hekura, kam dalë kam mbledhur rroba e çka kam gjetur, kam hyrë borxh 500 euro edhe vendosa që për me ua sigurua fëmijëve të mi një jetesë më të mirë, sepse këtu nuk pati më asnjë shpresë, nuk kishte kurrfarë jetese. Në vitin 2012 më ka vdekur edhe vajza 6-vjeçare, e cila ka qenë e sëmurë prej zemrës”, pohon Selmani.

Ai tregon se e kishte marrë rrugën e mërgimit sikurse shumë kosovarë të tjerë vite më parë.

“Nga Gjermania u kthyem me duar bosh. Se normal, dheu i huaj nuk është i yti. Është shumë normale që kur nuk të përkrah shteti yt nuk të përkrah asnjë tjetër shtet. Por, çka është më e rëndësishmja, unë tash jam kthyer përsëri në vendin tim më 22 maj të këtij viti. Atje (në Gjermani), kam jetuar me një stres shumë të madh, me një mund shumë të madh, me hjeka, kuptohet jo si këtu, por çdoherë e kam pasur qëllimin që fëmija im do të arrij diçka, do të shkoj përpara e mos të dal më nëpër qoshe të rrugëve, e të mos dalë më nëpër përroje që të mbledhë mbeturina, hekur, bakër, alumin e të gjitha e të vrapojnë nëpër rrugë, ujë e kontejner të mbeturinave e gjithkund për të siguruar pak para për një kafshatë buke”, rrëfen për “Zërin”, Selman Hyseni.

Pa ndihmën e institucioneve

Ai thotë se u ka besuar bisedave që ka pasur me bashkëqytetarët që kur të kthehen në Kosovë të paktën do të kenë një kulm mbi kokë dhe kjo ka qenë arsyeja përse ai është kthyer në vendin e tij.

“Na kanë thënë se janë disa organizata gjermane të cilat mund të të sigurojnë strehim, te njëra kam qenë, por më kanë thënë se nuk keni qenë në pjesën tonë ku ne operojmë në Gjermani. Mua nuk më dolën asnjë prej këtyre gjërave që na kanë thënë. Askush nuk na ndihmoi, i vetmi Kryqi i Kuq i Kosovës, që më ka sjell harxh. Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë na ka vizituar bile falë asaj organizatës gjermane, sepse në aeroport as që më kanë marrë parasysh. E kur kanë ardhur këtu më kanë thënë se nëse je egjiptian, ashkali apo i ndonjë nacionaliteti tjetër mund të të ndihmojmë, por nëse je mysliman e këto tjera ne nuk mund të të ndihmojmë. Unë u thashë se origjinën e kam shqiptare edhe nuk mund ta ndërroj etninë dhe asgjë, sepse po të isha një njeri që do të bënte dallavere apo gënjej, nuk do të isha këtu ku jam sot”, ka treguar Hyseni.

E vetmja ndihmë që deri më tani i ka ardhur familjes Hyseni ka qenë ajo e blerjes së tokës. Kryefamiljari Hyseni thotë se kanë qenë familjarët e bashkëshortes së tij që i kanë siguruar dy ari tokë, por që nuk kanë pasur mundësi që t’ia ndërtojnë shtëpinë.

Mirëpo, të jetosh në këtë tendë nuk është aspak e lehtë e aq më pak në këtë kohë. Ai thotë se falë fqinjëve të paktën për ujë nuk heqin.

“Për me i pastruar rrobat është korita këtu dhe i pastrojmë e ujin e marrim te fqinjët tanë. As nuk kemi ujë, as nuk kemi rrymë. Natën e kalojmë me qira. Nuk e di çfarë të them, jam në këto kushte siç po i shihni edhe vetë. Ndoshta ka edhe më tmerr se unë, por nuk e besoj”, thotë Hyseni. Ai thotë të jetë i interesuar për punë, porse, sipas tij, ai nuk po arrin të gjejë asnjë vend pune për të fituar qoftë edhe një cent.

Me lot në sy kërkon ndihmë nga njerëzit pasi që siç shprehet ai nuk dëshiron që edhe dy djemtë e tij t’i vdesin ashtu siç i ka vdekur vajza gjatë kohës sa kanë jetuar në “Fushën e Pajtimit”.

“Kur do Zoti që të niset një shtëpi këtu, mua më duket se jam bërë 12-vjeç. Se të paktën boll më shkoi vajza në kontejner, të paktën këta dy nuk po dua që të më shkojnë prej këtij shatori. Nuk jam prej atyre që dëshiroj të përfitoj diçka, nuk jam prej atyre që dua lëmoshë, thjesht e dua një strehim”, u shpreh ai.

Ndonëse moshatarët e tij nuk e çajnë kokën për asgjë, 16-vjeçari i cili është djali më i madh i kësaj familjeje është rritur me brengën se duhet të sigurojë jetesën e familjes.

16-vjeçari thotë se me t’u kthyer nga Gjermania ka pasur edhe probleme për marrjen e diplomës së shkollës fillore, gjë që edhe ia rrezikon shkollimin e mesëm.

Mirëpo, ai shprehet mjaft ambicioz se do të mundë t’ia dalë që të regjistrohet në shkollë të mesme, pasi që siç tregoi ai për “Zërin”, edhe në Gjermani klasën e nëntë e ka përfunduar me shumë sukses.