Të rinjtë shqiptarë po diskriminohen në Maqedoni
Studentët shqiptarë në Maqedoni duan të kenë të paktën të drejtat e njëjta që i gëzojnë bashkëmoshatarët serbë në Kosovë. Institucionet shtetërore maqedonase, sipas tyre, po mundohen në çdo aspekt t’i diskriminojnë ata. Shumica e studentëve shqiptarë, sytë i mbajnë kah perëndimi
Të rinjtë shqiptarë të Maqedonisë nuk kanë perspektivë në vendin e tyre. Ata arrijnë të kryejnë studimet, madje duke punuar njëkohësisht për shkak të ardhurave të ulëta që marrin familjet e tyre ose janë të papunësuar si shqiptarë të diskriminuar në këtë shtet.
Por, diploma nuk iu hyn shumë në punë, mosperspektiva për ta po i shtyn të ndjekin për ditë e më shumë rrugën e emigracionit.
Guxim Nuhiu, student i vitit të tretë në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, tregon se ka mjaft shqiptarë që regjistrohen në universitet duke marrë parasysh se Universiteti Shtetëror i Tetovës (UT) është në gjuhën shqipe, edhe Universiteti i Evropës Juglindore zhvillon pjesën më të madhe në gjuhën shqipe, mirëpo ai thotë se gjithmonë diploma që vlerësohet më shumë është ajo e Universitetit “Qirili dhe Metodi” në Shkup që ende dhe pse me numër të konsiderueshëm studentët shqiptarë diskriminohen.
“Ne dimë se edhe kush janë profesorët që në çdo orë të tyre flasin kundër shqiptarëve me tone ofenduese”, thotë ai.
Sipas Nuhiut, perspektiva pas diplomimit është e brishtë dhe ndahet në katër grupe.
“Ata që marrin librezë partie dhe që mundohen të zënë një vend në administratën shtetërore që është monopol i partive në pushtet, një pjesë e vogël që kanë biznese private dhe punësohen atje, e të rinj që pasi diplomojnë shohin mënyrë për t’u larguar nga vendi dhe të tjerë që mundohen me mundësitë e tyre të gjejnë një vend pune”.
“Kam edhe miq me të cilët kam protestuar vitin e kaluar dhe sot na përkrahin vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale pasi e kanë lëshuar vendin. Kam njohur të tjerë që po i kalojnë ditët e fundit në qëndrimin e tyre në Maqedoni duke protestuar”, thotë ai.
Numri i studentëve shqiptarë që largohen nga Maqedonia rritet çdo ditë
Blerina Demiri, studente në vitin e parë në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se studentët shqiptarë në Maqedoni me ose pa vetëdije, diplomojnë pa pasur para vetes një perspektivë të qartë.
“E gjithë kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia nuk ofron asgjë. Pa dyshim që mungesa e perspektivës nga ana e studentëve ul vlerat e arsimimit dhe diplomimit, duke e shndërruar diplomën në një "fletë" të pavlerë, e cila mund ta identifikojë secilin”, thotë ajo.
Demiri thotë se pak ka nga ata që vendosin t’i bëjnë ballë këtij sistemi dhe të mos e kërkojnë të ardhmen diku tjetër.
“Është e rëndë të thuhet se numri i studentëve që largohen nga ky vend rritet çdo ditë e më shumë, sepse dëshirat e tyre nuk përputhen me atë se çfarë ky vend ofron. Pa dyshim që hasin në pengesa për avancim, madje pengesa më e madhe është papunësia, e cila vjen si rezultat i mungesës së parimeve të sigurta civilizuese dhe kulturës së mirëfilltë politike”, thotë ajo për “Zërin”.
Ndërsa, Denis Raufi nga Shkupi, student i filozofisë në vitin e katërt në Universitetin e Tetovës, thotë se në dukje të parë shqiptarët kanë mundësi shkollimi sikurse maqedonasit.
Por, politika shtetërore, Raufi thotë se bën të pamundurën që studentit maqedonas t’i ofrojnë ndihma nga më të ndryshmet që të mundë të shkollohet dhe të përfundojë studimet në mënyrë sa më të lehtë.
“Gjithmonë studentët maqedonas janë prioritet për institucionet shtetërore. Atyre u ofrohen bursa të ndryshme studimi, bursa për studim jashtë shtetit, donacione për konferenca të ndryshme. Kurse studentët shqiptarë i shohin si njerëz të një shtrese më të ulët të shoqërisë, të cilëve nuk u takon diçka e tillë”.
Ai madje tregon se shteti ka bërë të pamundurën që universitetin shqiptar në Maqedoni ta degradojë në shkallë sa më të ulët.
“Në krahasim me përqindjen zyrtare që e pranojnë institucionet shtetërore ne si shqiptarë nuk kemi asnjë privilegj. Ne duam të paktën të drejtat që i gëzojnë komunitetet e vogla në Kosovë që janë 5 % e më poshtë, do të ishte e mjaftueshme. Institucionet shtetërore mundohen që në çdo aspekt të mundë të na diskriminojnë dhe të na përulin. Duke na quajtur si njerëz jo të qytetëruar dhe ‘indianci’”, thotë ai për “Zërin”.
Kryejnë studimet, punojnë kamerierë
Raufi thotë se perspektiva është ajo që iu mungon më së shumti të rinjve shqiptarë.
“Nuk kemi një të tillë. Edhe shpresën na e kanë marrë. Perspektiva më e mirë është të jesh kamerier i diplomuar. Shembull konkret për këtë, kam veten time. Tani mbarova me studimet, pres që në shtator të diplomoj dhe e vetmja perspektivë për punësim është kjo ku punoj tani, si kamerier. Kam shumë shokë dhe shoqe të mia që kanë përfunduar studimet dhe kanë diplomuar. Dhe tani janë ose të papunë, ose kamerierë”, thotë ai.
Kjo, ai thotë të pamundëson edhe vazhdimin e studimeve, pasi që çdo e dyta familje shqiptare është e varfër dhe nuk ka kushte që të mundë ta financojë fëmijën e vet që të mund të vazhdojnë studimet, dhe punë nuk ka.
“Prandaj jemi të detyruar që të mund të punojmë punë të llojllojshme, që të mund të sigurojmë mbijetesën. Gjithashtu me shpresë që të mund të kursej nga kafshata e gojës dhe të vazhdojmë me studimet. Mos të lejojmë që të na lënë analfabet, pastaj të mund të na sundojnë. Kjo më jep mua dhe gjithë të rinjve në Maqedoni forcë, që mos të dorëzohemi, por të mund një ditë, t’ia ndryshojmë këtë politik fashiste të këtij shteti”, shprehet Raufi, sipas të cilit, ka shumë të rinj që duan të largohen nga vendi.
“Nëse vjen dhe pyet çdo moshatar timin, ëndrra e tij është të largohet nga ky shtet. Një numër i madh i tyre janë larguar. Unë personalisht kam vëllain tim që është larguar dhe tani jeton jashtë vendin. I përfundoi para tri vitesh studimet, diplomoj dhe rrinte në shtëpi, nuk kishte mundësi shkollimi të mëtutjeshëm dhe as punësim, prandaj u detyrua të largohet nga vendlindja”, shprehet ai.
Si vëllai i tij Raufi thotë se ka edhe plot të tjerë, disa edhe mallkojnë katër vitet e humbura gjatë studimit, dhe nuk kanë punë dhe janë detyruar të largohen jashtë vendit dhe larg familjeve të tyre.
Megjithëkëtë, ai beson se gjenerata e tij do ta shfaqë në dritë qenien shqiptare, do t’i tregojë këtij sistemi që shqiptarët janë të ditur dhe janë zot shtëpie.
Studentët: Luftojmë që të mbijetojmë në çdo fushë të jetës
Faton Curri, student i grupit fizikë-kimi në Universitetin e Shtetëror të Tetovës (USHT), tash në vitin e katërt thotë se derisa në Kosovë serbët janë të diskriminuar pozitivisht, duke gëzuar të drejta më shumë se shqiptarët që janë shumicë, në Maqedoni shqiptarët gëzojnë shumë më pak të drejta se sllavo-maqedonasit.
“Qëllimi, synimi kryesor i studentëve shqiptarë, si edhe i çdo qytetari shqiptar në Maqedoni është mbijetesa fiziologjike e etnike. Në një shoqëri ku studenti dëgjon tingujt e barkut të uritur, është tallje të kërkohet shkencë nga ai. Për këtë vazhdimisht luftojmë, që të mbijetojmë në çdo fushë të jetës. Sepse dështuam për të bërë universitete, që nënkupton se kemi shuar shpresat për të bërë një shoqëri ku mbizotëron drejtësia, barazia dhe zhvillimi”, thotë Curri.
Nëse këtij diskriminimi në baza etnike, sipas tij, i shtojmë edhe privatizimin e publikes përmes partizimit, atëherë mund të konsiderojmë si sukses në këtë shoqëri mbijetesën.
“Zëvendësimi i mbijetesës brenda vendit është jetesa jashtë vendit, mundësi që u jepet të rinjve, si e drejtë e pamohueshme, e jo si ofertë. Fat në këtë fatkeqësi janë disa kompani private, të cilët kontribuojnë pa hile në arsimimin dhe zhvillimin e të rinjve, para dhe pas studimeve”, thotë ai për gazetën “Zëri”.