Mijëra punëtore seksi, industri në rritje në Kosovë
Në qytetin ku ajo e bën punën e saj*, shumica e njohin njëri-tjetrin. Është ndër ato qytete ku ndodhin shumë organizime, e vala e jetës normale nuk ka se si të ndalet. Afërdita, mbi të 40-at, e hap lokalin e saj qysh në mëngjes dhe kësisoj e shijon këtë kohë të ditës duke mos pasur klientët që më vonë i vijnë për vajzat që ajo ka punësuar. Nëse mëngjesi nuk shkon me çaj, gjithmonë ekziston mundësia e alkoolit.
Ka mbi dhjetë vite që ajo e mban këtë lokal ku nuk ushtrohet prostitucion. Meshkujt e moshave të ndryshme vijnë më shumë në orët e pasdites, shumë prej tyre të gatshëm t’i shkojnë punës deri në fund.
Në këtë lokal, Afërdita tregon, ka vetëm prekje dhe shkëmbim të të hollave.
“Lokale të tilla nëpër këtë qytet ka sa të duash. Poshtë restorante, lart motele. Këtu vetëm vijnë sa të bëjnë pak hajgare me ne, ndërrojmë llafe, gjithçka është e sigurt”, tregon Afërdita. Atë vetë e kanë provokuar meshkujt e moshave të ndryshme. Në qytetin ku punëtorët e seksit po lulëzojnë, 15-vjeçarët, 35-vjeçarët dhe edhe 50-vjeçarët janë në thesin e njëjtë të dëshirës për të kaluar pak kohë me një vajzë a grua, në këmbim të parave, në cilësinë e klientit.
“Deri vonë, paratë janë dhënë pasi është kryer marrëdhënia seksuale. Tash, duke qenë se janë ankuar çikat që nuk po paguhen, pasi nuk kanë as ku të ankohen sepse kjo është e jashtëligjshme, takohen diku, e bëjnë pagesën e më vonë shihen për ta kryer aktin”, tregon Afërdita.
Janë disa rrugë të qytetit ku kafenetë e ditës natën si me magji rikthehen në vende ku ushtrohet prostitucion.
Afër kësaj, afër asaj, prapa kësaj, këtu ndodh diçka. Kështu flasin vetë punëtoret e seksit dhe qytetarët në këtë qytet të Kosovës. Afërdita ka frikë për veten dhe të tjerët, ndërsa për policinë flet mirë e keq.
Me Kodin Penal prostitucioni është i jashtëligjshëm dhe dënohet
Por Afërdita, njëjtë si shoqet e saj që ushtrojnë të njëjtën punë, me Kodin Penal të Kosovës janë në pozitë të pafavorshme. Me Nenin 149 prostitucioni i detyruar konsiderohet si krim kundër njerëzimit, njëjtë si skllavëria, shtatzënia me dhunë, sterilizimi dhe format tjera.
“Por kjo nuk është e detyruar. Një pronare serbe para disa vitesh është arrestuar dhe e di mirë që ka mbajtur disa vite burg, sepse e ka detyruar një vajzë që të shkojë me një klient. Kur e morën vesh, u çmendën. Ajo ka qenë grua e mirë, por ndoshta dikush ia ka luajtur lojën. Këtu shumicën e herëve akti bëhet me vetëdëshirë”, tregon Afërdita.
Kodi Penal i Kosovës edhe në pika të tjera e kriminalizon aktin në fjalë. Shumë e quajnë prostitucion derisa të tjerë punëtorë të seksit.
Neni 228 e përkufizon prostitucionin si “ofrimin ose dhënien e shërbimeve seksuale në këmbim të të hollave, mallrave ose shërbimeve, përfshirë, por pa u kufizuar në kryerjen e një obligimi për të paguar ose ofrimin e mallrave apo shërbimeve, përfshirë shërbimet seksuale falas apo me zbritje. Nuk është me rëndësi nëse pagesa, mallrat apo shërbimet i janë dhënë apo premtuar personit të përfshirë në shërbime seksuale apo personit të tretë”, ndërsa në Nenin 240 pasojnë dënimet për ata që ushtrojnë prostitucion, pronarët që kanë lokale ku nis të mbillet ideja e prostitucionit dhe ku më pas funksionon ai. Neni 242 thotë se “kushdo që me dijeni ofron lokalin, qoftë si pronar i lokalit, qiradhënës, qiramarrës, shfrytëzues ose person përgjegjës, personit tjetër për qëllim të prostitucionit ose mundësimit të prostitucionit, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet”.
Edona Tolaj, konsulente ligjore në Community Development Fund – CDF/ Programi për HIV, tregon se me Kod Penal trafikimi me qenie njerëzore dhe lehtësimi i prostitucionit janë vepër penale, ndërsa prostitucioni është vepër kundërvajtëse. Për më tepër, sipas saj, çdo person që është në dijeni për këto vepra duhet të njoftojë organet përgjegjëse. E kjo dukshëm e vështirëson situatën.
“Kjo fillimisht e kufizon qasjen e kësaj kategorie në shërbime si testimi, trajtimi dhe këshillimi në lidhje me HIV/AIDS. Rrjedhimisht kjo e rrit rrezikshmërinë e infeksionit jo vetëm në mesin e kësaj kategorie, por edhe të popullatës në përgjithësi, kjo pasi një numër i madh i personave marrin shërbime seksuale nga punëtorët e seksit në Kosovë”, tregon Tolaj.
“Së dyti, e kufizon veprimtarinë e organizatave të cilat ofrojnë falas shërbime shëndetësore dhe shërbime të ndërlidhura me HIV si këshillimi, testimi, trajtimi, shpërndarja e informatave, kondomave, që përsëri rezulton me rritjen e rrezikshmërisë për infeksion jo vetëm në mesin e punëtoreve të seksit, por edhe në mesin e popullatës së përgjithshme”, vazhdon ajo.
5037 punëtore të seksit në Kosovë
Nga hulumtimi i fundit i Programit për HIV të Fondit Global, numri i presupozuar i punëtoreve të seksit është 5037.
Nga ky numër, rreth 20 për qind operojnë në lokacione të fshehura dhe 10% janë me bazë online (web-based). Pjesa tjetër zhvillon aktivitetet e tyre në më shumë se gjashtë lloje të lokacioneve.
Me këto gra dhe femra po merret programi “Fuqizimi i parandalimit të HIV në Kosovë”, mbështetur nga Fondi Global.
“Programi i Fondit Global në Kosovë ka si komponent të veçantë parandalimin e HIV-it në mesin e punëtorëve të seksit komercial dhe klientëve të tyre. Projekti bazohet në një sistem të voucher-it, i cili u ofron punëtorëve të seksit komercial që falas të marrin shërbime gjinekologjike dhe të testohen në katër infeksione që barten përmes marrëdhënieve seksuale dhe gjakut: sifilizi, hepatiti B, hepatiti C dhe HIV-i. Në rastet kur dyshohet në infeksionet tjera ofrohet terapi bazike falas”, tregon Edona Deva nga CDF-ja.
Afërdita tregon se shuma e paguar nga klientët për punëtoret e seksit është modeste.
“Prej katundeve është më ndryshe. Vajzat bëhen punëtore seksi sepse nuk kanë bukë me hëngër dhe e kanë parë leverdinë financiare. Disa e shesin trupin edhe për 5 ose 10 euro. Kur ka ra skamja në Kosovë, ka nisë edhe më shumë me u zhvillu kjo punë”, tregon Afërdita. Në qytetin ku ajo jeton, thotë se shumë femra i ka kthyer në shtëpitë e tyre.
“Plot i kanë përzënë prej shpish kur e kanë marrë vesh se çka po bëjnë ato. Plot femra i kam kthy në shpi. Njërës i thashë që i jap unë pare, veç le të rrin në shtëpi ose kur del për kafe të më thërrasë mua. Deri vonë më ka dëgju e tash më treguan se prapë ka dalë nëpër rrugë”, vazhdon Afërdita.
Trafikimi dhe nëntoka, aty ku mund të nisë e zhvillohet gjithçka
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, vepron krahas legjislacionit, i cili në asnjë mënyrë nuk e mbështet ushtrimin e prostitucionit si veprimtari normale. Shumë raste të prostitucionit nisin ose zhvillohen si rezultat i trafikimit me qenie njerëzore. Një nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme që dalin nga ligji për Policinë është edhe parandalimi, hetimi dhe zbulimi i veprave penale, në këtë kontekst edhe luftimi i trafikimit me njerëz.
Të dhënat e Policisë tregojnë se trafikimi vazhdon në Kosovë. Në vitin 2014, gjithsej numërohen 37 femra të trafikuara në Kosovë, ndërsa një vit më pas janë 28. Në vitin 2014 janë trafikuar 5 meshkuj, ndërsa vetëm 2 janë trafikuar në vitin 2015.
“Është zor e besueshme që femrat e trafikuara do të mundë të ofronin shërbime të këtilla me dëshirën e tyre. Ato me shumë gjasa janë të detyruara ta ushtrojnë këtë profesion. Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë kemi të bëjmë me femra që trafikohen brendapërbrenda territorit ose edhe nga Shqipëria. Në shumicën e rasteve vajzat e reja rekrutohen për të kryer punë të rregullta si kameriere ose valltare, dhe më pas ato ofrojnë shërbime seksi për të cilat paguhen”, tregon Deva nga CFD-ja.
Ajo megjithatë dëshiron të potencojë se trafikimi dhe seksi komercial janë dy koncepte të ndryshme dhe nuk duhet përzier me njëra-tjetrën, nuk duhet pasur ngjyrime të përbashkëta. Thënë më shkurt, jo çdo punëtore seksi duhet të mendohet si produkt i trafikimit dhe se ka realisht gra dhe femra që janë punëtore seksi, pa qenë viktima trafikimi.
Sipas saj “ndonëse kemi të bëjmë me një grupacion të popullatës që ligjërisht penalizohet dhe kriminalizohet, çështjet e shëndetit publik nuk perceptojnë dhe nuk marrin parasysh dallimet të çfarëdo lloji, duke u bazuar në parimin universal: shëndet për të gjithë dhe të drejtën për qasje në shërbime shëndetësore”.
Në këtë kontekst, për të mbrojtur shëndetin e popullatës së përgjithshme dhe për të siguruar qasje të lirë në shërbime për të gjithë mundësohet parandalimi i infeksioneve, të cilat ndonjëherë konsiderohen si çështje e sigurisë nacionale. E kundërta, izolimi dhe mosofrimi i shërbimeve e nxit përhapjen. Kjo, sipas saj, është arsye për të iniciuar debatin publik për të ndryshuar legjislacionin dhe për ta bërë këtë veprimtari të ligjshme, e më lehtë të kontrollueshme. Rrjedhimisht shteti do të përfitonte në shumë aspekte.
Në të dhënat e Policisë së Kosovës për muajin janar të këtij viti, janë gjithsej 5 viktima të identifikuara të trafikimit brenda territorit të Kosovës, të gjitha femra. Vitin e kaluar kanë qenë gjithsej 30 viktima, mes tyre vetëm dy meshkuj, ndërsa në vitin 2014 janë identifikuar 42 viktima të trafikimit, mes tyre një person nga Rumania dhe një nga Serbia.
KOPF-i, në kuadër të programit të Fondit Global, përveç me punëtoret e seksit komercial, punon në vetëdijesimin e klientëve potencialë përmes informimit, edukimit dhe komunikimit dhe shpërndarjes së kondomave.
“Normalisht që asnjëri nuk e pranon se merr këso shërbimesh, por klientët potencialë ose informatorët në rastin tonë janë taksistët, vozitësit e kamionëve të linjave të gjata, tek këta ne intervenojmë me prezervativë dhe kjo momentalisht është qasja jonë ndaj parandalimit të përhapjes së ndonjë sëmundjeje apo infeksioni”, tregon Rifat Batusha nga KOPF-i.
Punëtoret e seksit duhet të mos jenë të kriminalizuara
Turqisë i janë dashur shumë vite për ta legalizuar prostitucionin. Regjistrimi i vitit 2004 numëron mbi 100 mijë punëtore seksi në mbarë Turqinë. Në Maqedoni e në Serbi prostitucioni është ilegal, konsiderohet krim dhe dënohet deri në 10 vite burg. Në Belgjikë prostitucioni është legal, por shtëpitë publike janë të kundërligjshme.
Batusha pohon se do të ishte ideale që të rishikohen ligjet, sepse dekriminalizimi i punëtoreve të seksit do t’i ndihmonte edhe shëndetit publik në përgjithësi.
“Legjislacioni është shumë i ashpër krahas këtij komuniteti, shumë të degraduar dhe stigmatizuar në Kosovë. Po të ishte legjislacioni më i favorshëm do ta lehtësonte punën edhe për t’i ditur vendet ku zhvillohet veprimtaria, për ta ruajtur shëndetin e këtyre femrave dhe atë publik”, tregon Batusha.
KOPF-i asiston po ashtu me pako parandaluese dhe pakon e shëndetit riprodhues ndaj punëtoreve të seksit. Batusha thotë se sado që është provuar të flitet dhe të debatohet mbi ndryshimin e ligjeve, institucionet tona nuk janë të gatshme për diçka të tillë.
Në ndërkohë, Afërdita vazhdon të punojë në këtë biznes. Në një formë ajo është aktiviste. Edhe për të jeta do të ishte më e lehtë nëse shteti do t’i shihte me sy tjetër gratë që e shesin trupin e tyre.
“Për të gjithë do të ishte ma e lehtë sepse më pas do të diheshin vendet. Unë tash ende i ndali vajzat në rrugë, ju jap këshilla për shëndet edhe kuponë për shërbime shëndetësore falas. Nëse ndryshon ligji, ndryshojnë edhe këto gra e femra”, tregon për neve Afërdita.
Krejt çka Afërdita* dëshiron është një zgjidhje, në mënyrë që askush të mos marrë infeksione e sëmundje. Në qytetin ku ajo bie çdo natë e zgjohet çdo mëngjes përditshmëria është e palëkundur dhe shpesh di të bëhet më e keqe sesa tingëllon. Ajo thotë se duke i shtypur dhe izoluar këto gra, po bëhet një veprim nga i cili pasojat kjo shoqëri do t’i vuajë fuqishëm, kur ndoshta do të jetë shumë vonë.
*Për redaksinë, qyteti dhe emrat e personazheve në tekst janë të njohura, por janë ndërruar për shkak të temës sensitive dhe për të mos dashur ta cenojmë emrin, identitetet e ndryshme dhe lirinë e asnjë individi. Emrat dhe mosha e disa prej personazheve janë ndryshuar nga redaksia.
( Identiteti i personazheve në tekst, disave prej tyre, është i njohur për redaksinë por është ndryshuar për shkaqe të sigurisë së këtyre personave. Njëjtë janë modifikuar edhe qytetet ku është zhvilluar teksti në fjalë. Teksti është fuqizuar nga INTEGRA përmes programit për HIV të Fondit Global në Kosovë dhe është shkruar ekskluzivisht për botim në gazetën “Zëri”)