Pse u suspendua redaktori i RTK-së

Aktuale May 18, 2016 - 12:03

Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, është distancuar nga gjuha e ndytë që redaktori i RTK-së, Arsim Halili, ka përdorur për komunitetin LGBTI.

"Ofendimet publike të bëra nga Arsim Halili në drejtim të komunitetit LGBTI janë qëndrime personale të tij dhe në asnjë mënyrë nuk përbëjnë qëndrim të RTK-së. RTK respekton të drejtat e secilës përkatësi në mënyrë të barabartë pra edhe të përkatësisë seksuale", ka shkruar Shala në llogarinë e tij në Facebook.

Shala ka thënë se si Drejtor i Përgjithshëm menjëherë ka kërkuar suspendimin e redaktorit Halili nga vendi i tij i punës pas gjuhës që ai ka përdorur për komunitetin LGBTI dhe ka kërkuar nga kryeredaktori i RTK3 të iniciojë që nesër procedurë diciplinore ndaj të punësuarit Halili.

Ky është reagimi i plotë i Shalës në rrjetin social:

"Si Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së dhe në emër të menaxhmentit të RTK-së distancohemi nga qëndrimet publike të njërit nga redaktorët e lajmeve të RTK-së, Arsim Halilit ndaj komunitetit LGBTI. Ofendimet publike të bëra nga Arsim Halili në drejtim të komunitetit LGBTI janë qëndrime personale të tij dhe në asnjë mënyrë nuk përbëjnë qëndrim të RTK-së. RTK respekton të drejtat e secilës përkatësi në mënyrë të barabartë pra edhe të përkatësisë seksuale. Dëshmi për këtë është edhe rregullorja e RTK-së që ka të bëjë me standardet profesionale të RTK-së, të cilat secili punëtorë i RTK-së është i obliguar t'i zbatojë. Si Drejtor i Përgjithshëm menjëherë kam kërkuar suspendimin e redaktorit Arsim Halili nga vendi i tij i punës dhe kam kërkuar nga kryeredaktori i RTK3 të iniciojë që nesër procedurë diciplinore ndaj të punësuarit Arsim Halili.  Me transmetimin e drejtpërdrejtë në dy kanalet televizive RTK1 dhe RTK3 të marshit të komunitetit LGBTI më Prishtinë, të martën më 17 maj 2016, RTK ka dëshmuar se mbështetë liritë e secilit në Kosovë. RTK gjithashtu është e hapur dhe është duke përgatitur emisione që do tē trajtojnë problemet me të cilat përballet komuniteti LGBTI në Kosovë dhe do të kontribuojmë në avancimin e të drejtave të tyre nē Republikën e Kosovēs si vend demokratik ku janë të garantuara të drejtat e secilit."

Ndërkaq, ky është postimi i redaktorit të RTK-së, Arsim Halilit: 

Si qytetar i këtij vendi që mëton me shpërthy izolimin shumëvjeçar, i kam tri pyetje koncize:

A është edhe LGBT, kusht për liberalizimin e vizave?

Ky kusht a plotësohet me sapun, a pa sapun?

Edhe e treta, për liberalizim vizash, a ma mirë me sakrifiku me demarkacion a me thobë?!