Infektuar: 1110
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Serbët e Kosovës, votë për Vuçiqin
Foto: Driton Bublaku

Serbët e Kosovës, votë për Vuçiqin

Aktuale April 25, 2016 - 08:02

Serbët e Kosovës, që kanë dalë në zgjedhjet e organizuara për Parlamentin e Serbisë edhe në Kosovë, të dielën, me ndonjë ndryshim të vogël, kanë votuar masovisht për listën “Serbia fiton – Aleksandër Vuçiq”. Kjo mbase u është bërë e qartë edhe përfaqësuesve të subjekteve tjera politike, të cilat nuk i janë bashkuar listës së Vuçiqit, për faktin se njerëz nga SNS-ja, ministra serbë, duke përfshirë edhe ata në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, Dalibor Jevtiq, si dhe zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviq, janë angazhuar maksimalisht për t’i organizuar votuesit serbë që ta hedhin votën e tyre për listën “Serbia fiton – Aleksandër Vuçiq”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, është përkujdesur vetë që t’i transportojë romët e jugut të Mitrovicës deri tek vendet e votimit në shkollën e mesme teknike “Mihajlo Petroviq – Allas” në veri të Mitrovicës.

Vozitësi i tij, Nemanja Miletiq, me një kombi që pohohet të jetë i njëfarë Ristiqit, kanë bartur votuesit romë të jugut të Mitrovicës dhe të gjithë ata janë udhëzuar apo edhe janë urdhëruar që të votojnë për listën e Vuçiqit. Një prej tyre, Gazmend Bajrami, i ka thënë “Zërit” se ka votuar për Vuçiqin sepse ashtu i ishte thënë, ndërkohë tregon se për këtë “shërbim” që ka bërë i ka marrë 30 euro.

Edhe kryetarët e komunave veriore, si dhe kryetarët e organeve të përkohshme, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për të ardhmen e tyre më të mirë, për listën “Serbia fiton – Aleksandër Vuçiq”.

E nga subjektet politike opozitare nuk ka ardhur asnjë zë kundërshtues apo vërejtje në procesin e votimit. Për ndryshim nga e premtja, kur përfaqësues të bllokut DSS-Dveri kishin alarmuar për “vjedhje të votave të dielën me organizim të SNS-së dhe të partive në koalicionin me SNS-në e Vuçiq-it”, të dielën ata nuk janë dëgjuar fare.

Rakiq: Një qeveri e fortë në Beograd, e rëndësishme për ne

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pasi ka hedhur votën, ka ftuar qytetarët të dalin masovisht në zgjedhje, sepse, siç ka thënë ai, një qeveri e fortë në Beograd është e rëndësishme për ta. “Serbët në këtë moment duhet të jenë të bashkuar për një të ardhme më të mirë të tyre dhe të shtetit të Serbisë në përgjithësi”, ka thënë Rakiq.

Në një prej vendvotimeve ka hedhur votën e tij ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq. Ai ka dëshiruar që zgjedhjet të kalojnë qetë, ndërkohë ka dërguar mesazh të qartë se “të gjithë bashkë do të jenë më të fortë dhe se nuk do të hezitojnë të dalin në qendra të votimit për të dërguar mesazhin se serbët janë këtu dhe s’kanë ndërmend të largohen dhe s’dinë çfarë dëshirojnë”.

“Shpresoj se zgjedhjet e sotme do të kalojnë mirë sidomos në pjesën e Metohisë dhe të Anamoravës, sepse tradicionalisht në jug të Ibrit gjithmonë vije deri tek incidentet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative e Kosovës në veri, tha se ka dalë për ta kryer obligimin e vet qytetar, pasi është banore e asaj pjese. Ajo tha se nuk ka mundur të votojë, pasi që emri i saj nuk është gjetur në listat e votuesve.

“Kam dalë që t’u bashkëngjitem qytetarëve të Mitrovicës Veriore, se edhe vetë jam qytetare e asaj pjese. Këto zgjedhje nuk janë përkrahur nga institucionet e Kosovës publikisht, por ato po mbahen përmes një marrëveshjeje”, ka thënë ajo.

Mbi 40 mijë serbë të veriut me të drejtë vote

Qendrën e votimit në shkollën e mesme teknike “Mihajlo Petroviq – Alas” e ka vizituar oficeri për Lidhje i Serbisë në Prishtinë, Dejan Paviçeviq. Ai u shpreh i kënaqur që qendrat e votimit në gjithë Kosovën janë hapur pa probleme. “Jam shumë i kënaqur që gjithçka po shkon normalisht, në gjithë territorin e Kosovës e Metohisë, por edhe në pjesë të tjera të Serbisë”, ka thënë Paviçeviq.

Në Mitrovicë të drejtë vote kanë pasur 15.137 zgjedhës, në Zveçan 7.774 votues, në Lepsoaviq 11.179 votues, ndërsa në Zubin Potok, 8.858 votues.

Në Prelluzhë të Vushtrrisë, përveç serbëve të fshatrave të kësaj komune, Gojbulë, Banjskë dhe Gracë, kanë votuar edhe qytetarët serbë të komunës së Obiliqit, Babimovc, “Crkvena Vodica”, “Janjina Voda”, Milloshevë, Plemetin – qendra, Plementin – Markovac, Obiliqi, pjesa tek Termocentrali, Obiliqi – “Cerska”, Plementini – të zhvendosurit dhe zgjedhësit nga territori i komunës së Podujevës - “Medragovac”, si dhe të zhvendosurit serbë në komunën e Vushtrrisë dhe të Obiliqit.

Në Graçanicë, sipas medieve serbe në veri, të drejtë vote kanë pasur 13 mijë votues, ndërsa votues të të ashtuquajturës “Zhupa e Sijarinës” ka pasur 7.200. Votën e tyre në një prej vendvotimeve në Graçanicë e ka hedhur zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq.  Ai ka ripërsëritur se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për serbët e Kosovës dhe për Serbinë

Dalibor Jevtiq, ministër kosovar për Kthim dhe Komunitete, ka votuar në Shtërpc. Ai u ka thënë medieve se serbëve u duhet Qeveria e Serbisë e fortë dhe stabile. “Neve na duhet Qeveria e Serbisë e fortë dhe stabile, e cila do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve që kanë serbët në Kosovë e Metohi, që t’i zgjidhim të gjitha problemet që kanë të bëjnë me kthimin”, ka thënë Jevtiq, siç transmetojnë mediet serbe.

Ndërkaq, zëdhënësi i OSBE-së, Senad Shaboviq, ka thënë se në këto zgjedhjet e Serbisë, që organizohen në Kosovë, nuk është paraparë votimi me kusht. Ai ka shtuar se i gjithë procesi zgjedhor në territorin e Kosovës është zhvilluar pa incidente.

“Nuk janë shënuar parregullsi, procesi ka shkuar normalisht”, tha ai. Parregullsi nuk janë shënuar as në rajonin e Prizrenit dhe të Pejës. Sipas këtij misioni, deri në mbylljen e vendvotimeve kanë votuar rreth 40 mijë votues

Ndryshe, në zgjedhjet e së dielës për Parlamentin e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 106.094 votues, organizuar në 90 qendra votimi. Në qendrat e votimit kanë qenë prezentë përfaqësuesit e OSB-së, të cilët pas mbylljes së kutive do t’i paketojnë fletëvotimet dhe do të transportojnë në Vranje dhe në Rashkë për t’u numëruar.

Opozita: Votimet e Serbisë në Kosovë, antikushtetuese

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj mundësisë që personat, të cilët kanë dy shtetësi në Kosovë, të votojnë për zgjedhjet në Serbi, duke thënë se qëndrimi i institucioneve të Kosovës për të lejuar që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe të Kushtetutës së vendit.

Sipas AAK-së, votimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë janë të papranueshme.

“Kjo është një goditje edhe për përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës. Koncesionet që Qeveria e Kosovës po ia bën Qeverisë së Serbisë, siç janë edhe votimet në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë, janë edhe kundër vetë interesit të popullatës serbe. Ne me Serbinë jemi dy shtete të pavarura dhe çdo përpjekje për të ndërhyrë në sistemet e brendshme të njëra-tjetrës dëmton edhe stabilitetin rajonal. Qeveria e Prishtinës ka humbur legjitimitetin e saj dhe nuk mund të punojë më në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Edhe partia tjetër “Nisma për Kosovën” konsideron se veprimi i institucioneve të Kosovës për lejimin e mbajtjes së votimeve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë është i papranueshëm dhe është fyerje për shtetin e Kosovës.

“Lejimi nga ana e institucioneve të vendit tonë që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër është shkelje e rëndë e Kushtetutës së Kosovës. Ky veprim është po ashtu në kundërshtim me përpjekjet e vendit tonë për integrimin e pakicës serbe në institucionet tona. Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura. Ndërhyrja në sistemet e brendshme të njëra-tjetrës dëmton edhe stabilitetin rajonal”, konsideron “Nisma”.

Sipas “Nismës”, “Qeveria e Kosovës, tashmë antikushtetuese dhe jolegjitime, nuk mund të punojë më në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës”.

Ndërsa, Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se me këto zgjedhje Serbia po rikonfirmon praninë e saj në Kosovë dhe njëkohësisht në praktikë po jetëson qëndrimin e saj se Kosova është pjesë e Serbisë. “Nuk ka dyshim se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke qenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në bazë të Kushtetutës, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, konsideron “Vetëvendosja”.

“Zgjedhjet e vetme që mund të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës janë zgjedhjet për institucionet qendrore apo lokale të Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim dërguar nga LVV-ja.

Kryeministri, Isa Mustafa, nuk i ka kundërshtuar këto zgjedhje, të cilat i ka quajtur jo të rregullta. Ai ka thënë se nuk është votim i Serbisë në Kosovë, por grumbullim votash.