Organizata pro-ruse në veri të Kosovës
Në pjesën veriore të Kosovës ka grupe pro-ruse të cilat po mbledhin nënshkrime dhe të holla për të mbështet partitë nacionaliste dhe pro-ruse të Serbisë.
Kjo është bërë e ditur nga Jelena Milić, nga Qendra për Studime Euro-Atlantike, gjatë publikimit të Raportit “Big Deal” për marrëveshjet Kosovë-Serbi.
“E kemi shikuar edhe aritmetikën zgjedhore në veri të Kosovës, çfarë do të ndodhë tani kur serbët kanë lista për zgjedhjet parlamentare që nuk janë vetëm nacionaliste, por janë edhe pro Putinit...Një prej grupeve të para pro-ruse të formuara ka mbledhur nënshkrime dhe të holla për atë mbështetje”, ka thënë Milić, transmeton "zeri.info".

Kurse zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni për prezencën e organizatave të tilla pro-ruse në veri të vendit, raporton "zeri.info".
“Nuk kemi informata se ekzistojnë organizata të tilla me orientime pro-ruse që veprojnë në veri. Ne e dimë që ka struktura paralele dhe po e ritheksoj edhe njëherë se ne jemi marrë vesh, nuk është marrëveshje e shkruar por jemi marrë vesh në Bruksel se marrëveshja për Asociacionin nuk o të materializohet deri sa nuk shuhen të gjitha strukturat paralele në tërë territorin Kosovës. Pra ne do të formojmë një grup punues i cili do të punoj në këtë aspekt. Për këtë që dëgjova është hera e parë që po dëgjoj dhe do të hulumtojmë edhe për këtë”, ka deklaruar Gecaj. /ZËRI/

