Ekskluzive: Gjenerali serb rikthehet në vendin e krimit

Ekskluzive: Gjenerali serb rikthehet në vendin e krimit

Aktuale April 10, 2016 - 07:57

Bojoviq në kohën e luftës në Kosovë kishte përgjegjësi komanduese dhe ka udhëhequr forcat ushtarake serbe në kryerjen e krimeve kundër civilëve në rajonin e Llapit, ku u vranë 499 shqiptarë. Por, 18 vjet më pas, Bojoviq është rikthyer në vendin e krimit, pikërisht në rajonin në të cilën ai dyshohet se shkaktoi djegien e qindra shtëpive dhe vrasjen e qytetarëve shqiptarë

Në vitet ’98-99, Millovan Bojoviq ishte gjeneral i ushtrisë jugosllave dhe njihej si njëri shumë i afërt i njeriut që njihet si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq. Bojoviq në kohën e luftës në Kosovë kishte përgjegjësi komanduese dhe ai ka udhëhequr forcat ushtarake serbe në kryerjen e krimeve kundër civilëve në rajonin e Llapit, ku u vranë 499 shqiptarë. Por, 18 vjet më pas, Bojovic është rikthyer në vendin e krimit, pikërisht në rajonin në të cilën ai dyshohet se shkaktoi djegien e qindra shtëpive dhe vrasjen e qytetarëve shqiptarë. Gjenerali serb, Millovan Bojoviq, ishte nisur të premten drejt Kosovës dhe kishte kaluar pa asnjë problem pikën kufitare në Merdarë. Ai kishte arritur të futej në disa prej fshatrave të Llapit pa u penguar nga askush. Ndonëse i dyshuar për krime lufte në këtë rajon, Bojoviq kishte arritur të shkonte deri në fshatin Peran, një prej fshatrave që po ashtu ka pësuar si në njerëz, ashtu edhe në dëme materiale nga lufta e fundit në Kosovë.

Por, gjatë udhëtimit të tij, banorët e këtij fshati e identifikuan Bojoviqin dhe menjëherë kishin njoftuar Policinë e Kosovës, e cila reagoi jashtëzakonisht shpejt. Një zyrtar policor në kushte anonimiteti i ka thënë “Zërit” se në momentin kur kishin arritur në vendngjarje kishin kryer legjitimimin e personit në fjalë. Mirëpo problemi kishte lindur pastaj, pasi pavarësisht se banorët e kishin denoncuar për krime lufte Millovan Bojoviqin, institucionet e Kosovës nuk kishin si ta ndiqnin atë për këtë akuzë. Kjo për faktin se asnjëherë kundër tij, por as kundër shumë të dyshuarve të tjerë nga Serbia, shteti i Kosovës nuk ka lëshuar urdhërarrest.  Policia ishte zënë ngushtë në këtë rast dhe krejt çfarë kishte bërë ishte dërgimi i të dyshuarit për krime lufte në pikën kufitare në Merdare. Dërgimi ishte bërë me arsyetimin se “nuk mund t’i ofronin siguri”, pasi Bojoviq kërkonte të vizitonte një fshat e ku besohet se jetojnë disa të afërm të tij. “Dua të shkoj të vizitoj disa të afërm të mi në një fshat këtu afër” kishte deklaruar gjenerali serb kur ishte arrestuar nga Policia e Kosovës. Por vetëm pak kohë pasi ishte deportuar në pikën kufitare, gjenerali Bojoviq ka vendosur të futet sërish në territorin e Kosovës. Këtë herë, jo përmes rrugëve legale, pasi ai ka kaluar kufirin ilegalisht. Këtë ai e ka bërë me lehtësi, pasi ishte përgjegjës i Ushtrisë Serbe për këtë rajon duke përfshirë edhe vijën kufitare mes Kosovës e Serbisë, përkatësisht në rajonin e Llapit. Menjëherë pas rifutjes ilegale në territorin e Kosovës, Policia ka arritur ta identifikonte dhe ka arrestuar Bojoviqin, mirëpo tani me një akuzë tjetër - kalim ilegal i kufirit. “Zëri” ka arritur të sigurojë ekskluzivisht dokumentin e Shërbimit Ushtarak të gjeneralit jugosllav, Millovan Bojoviq, në të cilin vërtetohet se personi i arrestuar ishte në funksion në kohën e luftës. Në bazë të këtij dokumenti, Bojoviq ishte me shërbimin në Rajonin e Prishtinës nga viti ’92.

Në dokument thuhet se Bojoviq me numër ushtarak “7357” kishte ardhur në pozitën “gjeneralnënkolonel” më datë 05.07.1992, ndërkohë, më 31.12.1997, Bojoviq ishte ngritur në pozitën e “gjeneralkolonel”. Në këtë pozitë po ashtu ishte konfirmuar pikërisht në kohën kur krimet e forcave paramilitar serbe kishin arritur përmasa gjenocidale, më datë 12.01.1998. Vazhdimi i fundit i mandatit siç shihet edhe në librezën e Shërbimit Ushtarak është bërë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. “Zëri” po ashtu ka arritur të sigurojë letërnjoftimin e gjeneralit serb. Letërnjoftimi konfirmon datëlindjen e Millovan Bojoviqit, 18.04.1937. Gjykata Themelore - Dega në Podujevë, i ka shqiptuar masën e paraburgimit për 30 ditë Bojoviqit. “Në lidhje me personin e dyshuar Millovan (Milladin) Bojoviq dl. 18.04.1937, banor i Serbisë, i cili dyshohej se kishte hyrë në Kosovë ilegalisht, ju njoftojmë se pas seancës së mbajtur më datën 08.04.2016 në Gjykatën Themelore Prishtinë - Dega Podujevë, ndaj tij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, në bazë të vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë - Dega Podujevë P. nr. 450/2016, të datës 08.04.201 dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan për ta vuajtur masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. Në rajonin e Llapit gjeneralin e arrestuar e bëjnë përgjegjësin kryesor për krimet e kryera në këtë rajon, ku gjatë kohës së luftës u vranë rreth 500 shqiptarë. Bojoviq ka përgjegjësinë kryesore për vrasjen e familjeve Bogujevci, Duriqi e Gashi nga Podujeva.

Ndërkohë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që disponon me të dhëna të shumta për krimet e policisë dhe ushtrisë serbe, thotë se gjenerali i arrestuar ka pasur përgjegjësi komanduese dhe ka udhëhequr operacionet e ushtrisë serbe në rajonin e Llapit sikur që nën përgjegjësinë e tij kanë qenë forcat paramilitare dhe policore serbe që kanë bërë krime të shumta kundër civilëve, prej vrasjeve individuale deri te vrasjet në masë. Sipas informatave të KMDLNJ-së gjatë luftës së fundit në Kosovë, në rajonin e Llapit janë vrarë 499 persona, 98 të vrarë në masë, ndërsa 53 konsiderohen të zhdukur. I dyshuari për kryerjen e krimeve të luftës, Millovan Bojoviq, do të qëndrojë për 30 ditë në paraburgim dhe më pas ai pritet të lirohet sepse shteti i Kosovës nuk ka urdhërarrest për te. Madje mbi Bojoviqin dhe persona të tjerë nga Serbia për krime lufte askush nuk ka ngritur padi e as aktakuza për vrasjet, që ata dyshohen se i kanë bërë. Pavarësisht dështimit të institucioneve kosovare, Serbia ka vepruar krejtësisht ndryshe pasi me urdhërarreste të saj arrestohen edhe ish-ushtarë të thjeshtë të UÇK-së. Më parë me urdhërarrest të Serbisë ishte arrestuar edhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. 

Image