Klinika me pak infermierë, por me numër rekord të pacientëve
Por jo të gjitha rastet e kishin vendin në këtë repart. Edhe këtë vit, Klinika Emergjente u ngarkua me raste që nuk i përkisnin natyrës emergjente, gjë që në vazhdimësi po e pengon punën e stafit në këtë klinikë. Drejtues të kësaj klinike thonë se rregullimi i sistemit të referimit, në nivel vendi, është i domosdoshëm.
Viti 2015 u përmbyll me mbi 55 mijë raste në emergjencë, që 60 për qind e tyre u takojnë sëmundjeve, ndërsa 40 për qind gjendjeve aksidentale.
Reparti i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është çdo herë plot pacientë. Në këtë klinikë gjatë 2015-ës u shënuan mbi 140 vdekje.
Basri Lenjani, drejtor i Klinikës emergjente thotë për KosovaPress se edhe këtë vit janë përballur me të njëjtin problem, atë të rasteve jo-emergjente. Zgjidhja e këtij problemi, sipas tij, duhet të bëhet sa më parë.
Ai thotë se ballafaqohen me 75 për qind të rasteve që fare nuk duhet të kërkojnë trajtim mjekësor në emergjencë. Sipas tij, spitalet rajonale dhe qendrat e mjekësisë familjare mund t’i menaxhojnë rastet e tilla. Megjithatë, në vitin 2015, kjo klinikë ka pasur numër rekord të pacientëve.
Rastet në emergjencë janë të mëdha, por jo edhe kapacitetet. Problemi i rritjes së numrit të infermierëve as për këtë vit nuk ka gjetur zgjidhje.
Në rritjen e numrit të rasteve në emergjencë, që kanë ardhur si pasojë e aksidenteve, ka ndikuar edhe gjendja meteorologjike që ka mbretëruar në fund të vitit. Mjegullat e shpeshta dhe ngricat kanë bërë që të rritet numri i aksidenteve.
Në vitin 2014 ndihmë mjekësore emergjente kanë kërkuar afër 24 mijë raste, që nënkupton se për 15 mijë raste kanë shënuar rritje për vitin 2015. Ndërsa numri i të vdekurve në Klinikën Emergjente, 2014-ën ka qenë 138, nga të gjitha rajonet e Kosovës./kp/