Berisha: Të hapur për kompromis, me një kandidat të vetëm opozitar në zgjedhje
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha konfirmoi sot se PD është e hapur dhe e gatshme për kompromis me forcat politike opozitare për të rrëzuar qeverinë.
Në një bashkëbisedim përmes rrjeteve sociale me qytetarët, Berisha theksoi se “Partia Demokratike është e sinqertë e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin”.
“U bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë me një anë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë. Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës. Unë nuk u them atyre në qoftë se ata s’duan, hajde të qeverisim bashkë. Unë nuk u them atyre që në qoftë se ata nuk duan, urdhëro të dalim dhe në zgjedhjet e përgjithshme bashkë, por të vijnë të rrëzojmë Edi Ramën, të shkojmë drejt krijimit të një qeverie kujdestare për të bërë reformën zgjedhore”, u shpreh Berisha.
Në këtë drejtim, kreu i PD-së siguroi se ajo reformë do të pasqyrojë plotësisht propozimet dhe sugjerimet e tyre.
“Unë i kam lexuar ato, kemi pasur dhe një dialog në këtë drejtim, pa asnjë hezitim. Dhe t’i japim Ramës edhe në zgjedhjet lokale mësimin që meriton, të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe”, tha ai.
Nga ana tjetër Berisha kujtoi se kurrë nuk mund të ketë asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik.
“Pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Berisha theksoi se protesta studentore në Shqipëri nuk ka ngjashmëri me skenarin serb.
“Skenari serb, siç e dini zonjë, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë. Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve. Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë. Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vogla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike. Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale”, u shpreh Berisha./atsh