Në Opterushë të Rahovecit përkujtohet 28 vjetori i dëshmorëve të rënë të UÇK-së

Në Opterushë të Rahovecit përkujtohet 28 vjetori i dëshmorëve të rënë të UÇK-së

Aktuale November 06, 2026 - 21:34

Në udhëkryqin e fshatit Opterushë të Rahovecit, familjarë, veteranë të luftës, përfaqësues të institucioneve dhe mysafirë kanë përkujtuar dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhelal Hajda – “Toni”, Selajdin Mullabazi – “Mici”, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri.

Me këtë rast, u vlerësua sakrifica e tyre për lirinë e Kosovës, ndërsa bashkëluftëtarët thanë se ata do të mbeten udhërrëfyes të përpjekjeve për liri.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kujtoi përballjen e luftëtarëve të UÇK-së me forcat e motorizuara serbe, ku ranë dëshmorët.

“Gjatë rrugëtimit të lirisë, pikërisht këtu, u ndeshën me forcat e motorizuara serbe. Përballja ishte e pabarabartë, e në fushën e nderit ranë shokët tanë më të shquar, duke lënë pas nder, lavdi e krenari”, tha Latifi.

Ndërkaq, bashkëluftëtari Daut Haradinaj foli për padrejtësinë që, sipas tij, po u bëhet ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke bërë thirrje për bashkim rreth flamurit kombëtar dhe emblemës së UÇK-së.

Edhe Gëzim Saraqi – Vushtrria theksoi rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës dhe dinjitetit të luftëtarëve.

“Amanetin e dëshmorëve e jetësojmë vetëm atëherë kur ne e mbrojmë të vërtetën, e ruajmë dinjitetin e luftëtarëve, si dhe nuk lejojmë përpjekjet për ta shtrembëruar historinë tonë”, tha Saraqi.

Kujtime nga koha e luftës ndau edhe bashkëluftëtari nga Istogu, Azem Zeka.

Ndërsa përfaqësuesi i familjarëve të dëshmorëve, Ermal Mullabazi, tha se dëshmorët mbeten frymëzim për vazhdimin e rrugës drejt unitetit kombëtar.

Ai përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për të cilët tha se shpreson që së shpejti të kthehen në Kosovë.

Në këtë përvjetor u prezantua për herë të parë edhe kënga kushtuar dëshmorëve të rënë më 6 nëntor, e kënduar nga artisti Vullnet Zhuniqi.