Rama përsërit ftesën për dialog
Protesta e studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë vijon këtë të premte në ditën e saj të 18-të. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vijojnë të mbajnë qëndrimin e tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Edhe gjatë ditës së sotme, Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje të karrigeve të vendosura përpara Kryeministrisë, përmes të cilave ka përsëritur ftesën për bisedime me studentët. Kryeministri ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për dialog, duke e konsideruar atë si rrugën për adresimin e kërkesave të tyre.
Nga ana tjetër, protestuesit nuk e kanë pranuar deri më tani këtë format komunikimi, ndërsa kërkesa për largimin e Ramës është bërë pjesë qendrore e protestës. Lëvizja, e cila nisi me kërkesa që lidhen me arsimin dhe kushtet e studentëve, është zgjeruar më tej me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe me kërkesa që lidhen me qeverisjen.
Kryeministri ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke argumentuar se qeveria ka marrë një mandat përmes zgjedhjeve. Kështu, ndërsa Rama vijon të kërkojë dialog, protestuesit këmbëngulin se zgjidhja që kërkojnë është largimi i tij nga detyra.
Protesta është shoqëruar edhe me episode tensioni dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve gjatë ditëve të fundit në Tiranë.
Ndërkohë, mobilizimi pritet të vijojë edhe gjatë fundjavës. Për këtë të shtunë është bërë thirrje për një tjetër protestë kundër qeverisë, në kushtet kur palët vijojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme dhe ende nuk ka një zhvillim që të sinjalizojë zgjidhjen e situatës.
Në ditën e 18-të, protesta vijon, ndërsa mbetet për t’u parë nëse thirrjet për dialog do të sjellin një zhvillim të ri në raportin mes qeverisë dhe protestuesve.