Haxhiu për vrasjen e Arlinda Zekajt: Alarm institucional, duhet të verifikohet nëse dështoi zinxhiri institucional
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, është kërkuar vlerësimi i rastit nga fillimi deri në fund, për të verifikuar nëse ka pasur dështim të zinxhirit institucional dhe nëse zyrtarët përgjegjës kanë dështuar në detyrat e tyre.
Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar kërkesën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të diskutohet për këtë rast.
Ajo ka thënë se ka qenë në komunikim me kryeprokurorin e Shtetit dhe ministren e Drejtësisë, ndërsa ka kërkuar që përgjegjësitë të adresohen edhe nga Inspektorati Policor dhe institucionet e tjera, duke përfshirë Qendrën për Punë Sociale.
“Së pari, unë kam nënshkruar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme. E cila do të mbahet sot, shumë shpejt, pjesa për këtë seancë të jashtëzakonshme do t’i dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kam qenë në komunikim me kryeprokurorin e shtetit dhe po ashtu me ministren e drejtësisë, dhe sipas informacioneve që unë i kam, tashmë është kërkuar që të bëhet vlerësim i gjithë rastit nga fillimi e deri në fund, dhe të shihet në qoftë se ka pasur dështim të zinxhirit institucional dhe janë dhënë zotimet që, nëse do të dëshmohet dhe do të verifikohet që ka pasur dështim nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren veprimet”, tha Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo e ka cilësuar rastin si alarm për institucionet dhe shoqërinë, duke theksuar se miratimi i ligjeve nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen nga institucionet përgjegjëse.
“Njësoj sot bëj thirrjet, edhe nga Inspektorati Policor, por edhe nga institucionet tjera, nëse flasim këtu edhe për Qendrën për Punë Sociale, që të adresojnë përgjegjësitë e tyre në raport me këtë rast. Ky rast na ka tronditur të gjithëve, është alarm institucional, alarm për shoqërinë, ju e dini që sa kam qenë ministre e drejtësisë, një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë ka qenë ndërmarrja e veprimeve për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Nuk mjaftojnë vetëm ligjet që t’i procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por që ato ligje të zbatohen nga institucionet përgjegjëse”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë se në seancën e jashtëzakonshme do të diskutohet edhe mundësia e themelimit të një komisioni hetimor parlamentar për të vlerësuar rastin.
Ajo ka kërkuar që deputetët të jenë të bashkuar në trajtimin e kësaj çështjeje dhe të mos e shndërrojnë debatin në përplasje politike.
“Diskutimet sot do t’i adresojmë në Kuvendin e Kosovës, është përmendur themelimi i një komisioni hetimor që do ta vlerësojë këtë rast, por natyrisht duhet me vigjilencë, me seriozitet, ta trajtojmë këtë homicidin në Republikën e Kosovës, dhe uroj që të mos ketë deputetë të Kuvendit që nuk pranojnë që në Kosovë, fatkeqësisht, përballemi me femicid. Pra, nuk është ideja që të shkojmë në Kuvend dhe t’ia hedhim gishtin njëri-tjetrit, është e rëndësishme që Kuvendi të jetë i unifikuar në mënyrë që raste të tilla të mos na ndodhin më. Natyrisht që ne mirëpresim rekomandimet edhe të grupeve tjera parlamentare, por është shumë e rëndësishme që sot, si Kuvend, të flasim me një zë”, tha Haxhiu. /eo