Zulfaj: Asnjë reformë s’do të mbetet mbrapa, edhe masat e parealizuara mbesin në agjendë
Kryenegociatori i Kosovës, Jeton Zulfaj, ka thënë se reformat e parapara në Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian do të vazhdojnë të mbesin në agjendën e institucioneve, pavarësisht ngecjeve në zbatimin e tyre dhe mosrealizimit të masave brenda afateve të përcaktuara.
Sipas vlerësimeve të paraqitura nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Kosova ka zbatuar vetëm 18 nga 62 reformat e parapara, ndërsa bllokadat politike kanë ndikuar në ngecjen e procesit dhe rrezikun e humbjes së mbi 40 milionë eurove.
Duke folur në tryezën e rrumbullakët me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas ngërçit politik: Shndërrimi i momentit të favorshëm në reforma”, Zulfaj ka thënë se reformat që duhej të përmbusheshin deri më 30 qershor mbesin pjesë e agjendës dhe se shumica e tyre janë planifikuar të zbatohen gjatë këtij viti.
“Ne tashmë e kemi thënë disa herë që reformat nuk humben, ne jemi në një proces të reformave, titulli është 'Agjenda e reformave', sigurisht është keq kur mjetet nuk arrijnë të fitohen në kohë, kjo është çështje edhe e afateve, por të gjitha reformat të cilat kanë qenë të parapara për afatin e 30 qershorit ato janë prapë në agjendën tonë të reformave, shumica që zbatohen këtë vit. Pra, asnjë reformë nuk do të mbetet mbrapa, pra kur jemi te procesi i reformues, është keq ngecja por sot kemi kohë të diskutojmë”, tha ai.

Zulfaj ka theksuar se Plani i Rritjes për Kosovën përfshin 111 hapa reformash në pesë fusha, ndërsa vendi mund të përfitojë deri në 882 milionë euro, prej të cilave një e treta janë grante dhe dy të tretat kredi.
“Kritika e mbështetur në fakte e ndihmon punën tonë dhe i përmirëson institucionet. Roli juaj është tejet i rëndësishëm, jo vetëm në kritikën konstruktive, por edhe në informimin e drejtë të opinionit publik. Siç e dini, plani i rritjes me 111 hapa të reformave, të ndarë në 5 fusha, do të sjellë reformë të madhe në shoqëri. Ato synojnë të jetë më të mirë për qytetarët, rritje ekonomike, shërbime publike më të mira, më shumë mundësi për të rinjtë, përkrahje e avancim social, mbrojtje e të drejtave, lirive, dhe etj. Reformat sigurisht lidhen me kufizimin; plani i rritjes i ka 4 shtylla: 2 shtyllat e fundit janë agjenda e reformave dhe incentivat për zbatimin e këtyre reformave. Për 882 milionë euro, sa Kosova mund të përfitojë, 1/3 janë grante dhe 2/3 janë kredi. Rëndësia e tyre nuk është vetëm tek fondet; është tek përmbajtja dhe ndikimi i tyre në jetën e qytetarëve. Këtu po besoj jemi të gjithë në të njëjtën anë, 18 institucione përgjegjëse: ministri dhe institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Kuvendin, dhe të gjithë ju si partnerë në këtë proces me qytetarët si përfitues përfundimtarë”, tha ai.
Ai ka theksuar se zbatimi i Agjendës së Reformave kërkon angazhim të institucioneve të ndryshme, duke përfshirë Qeverinë, Kuvendin, institucionet e pavarura, shoqërinë civile dhe mediat.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon qasje dhe angazhim gjithë-shoqëror; këtë e kemi thënë disa herë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, por pushtetet janë të ndara, qeveria është bartëse e procesit, por nuk mund të kryejë punën e drejtësisë, sepse këtë duhet ta bëjë drejtësia. Nuk mund të miratojë ligjet, sepse këtë duhet ta bëjë Kuvendi. Dhe nuk mund të kryejë punën e Agjencive të Pavarura. Sigurisht, edhe mediat edhe shoqëria civile pastaj duhet të luajnë rolin e tyre si shtyllë e rëndësishme e jetike për demokracinë, në informim të drejtë të qytetarëve”, tha Zulfaj.
Në tryezën e organizuar nga GLPS-ja u prezantua përditësimi i Agjendës së Reformave të Kosovës për semestrin e tretë. Gjatë diskutimit u theksuan shkalla e ulët e zbatimit të masave dhe koha e kufizuar për përmbushjen e reformave të mbetura.
Sipas vlerësimeve të paraqitura nga GLPS-ja, ngecjet në këtë proces rrezikojnë që Kosova të humbasë mbi 40 milionë euro nga fondet e lidhura me zbatimin e reformave. /eo