Arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal, IKSHPK-ja njofton për grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se sot ka filluar shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Në njoftim thuhet se vaksinimi do të fillojë pas përfundimit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe njësitë e tyre.
“Për informata të detajuara rreth fillimit të vaksinimit, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre”, thuhet në njoftim.
MSH-ja dhe IKSHPK-ja u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht personave që u përkasin grupeve me rrezik të lartë.
Grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet janë:
• Personat mbi 65 vjeç;
• Personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave dhe ato që dobësojnë sistemin imunitar;
• Gratë shtatzëna;
• Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore;
• Personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë;
• Profesionistët shëndetësorë dhe personat e tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor.
Vaksinimi kundër gripit sezonal rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të vaksinohen.
Vaksinimi është një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal dhe për uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital.