AGK-ja synon të ofrojë ndihmë psikologjike falas për gazetarët
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka theksuar rëndësinë e trajtimit të shëndetit mendor të gazetarëve, duke bërë të ditur se AGK-ja, në bashkëpunim me OSBE-në dhe partnerë të tjerë, do të vazhdojë angazhimin për të ofruar ndihmë psikologjike falas për anëtarët e saj.
Kreu i AGK-së ka thënë se shëndeti mendor i gazetarëve është trajtuar përmes konferencave dhe diskutimeve gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballen gazetarët në Kosovë, përfshirë stresin gjatë raportimit nga protestat dhe punën përtej orarit.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë vit, por edhe vitin e kaluar, ka trajtuar me disa konferenca, me disa diskutime, shëndetin mendor të gazetarëve. Është një prej temave shumë të rëndësishme. Gazetarët në Kosovë përballen me situata të ndryshme. Kemi parë protestat e muajit shtator për dorëzimin e gazit lotsjellës, stresin e madh, punën e gazetarëve pa orar, përtej orarit. Është një punë që kërkon shumë përkushtim dhe që ndikon edhe në mirëqenien e gazetarëve. Prandaj, është e nevojshme, nxisim gazetarët që të kërkojnë ndihmë profesionale, në mënyrë që ta bëjnë punën e tyre. Kur gazetarët lodhen dhe disa prej tyre heqin dorë nga ky profesion për shkak të mbingarkesës emocionale e mendore, atëherë ndikohet drejtpërdrejt liria e medias, ndikohet e drejta e publikut për të qenë i informuar. Kështu që, ne do të vazhdojmë, në bashkëpunim me OSBE-në edhe me partnerë të tjerë, edhe në javët e muajt në vazhdim, që të shohim mënyrën se si t’u ofrojmë kolegëve tanë, anëtarëve të AGK-së, ndihmë psikologjike falas, në mënyrë që ata të ballafaqohen me problemet që ua sjell profesioni, i cili, e dimë që prej fillimit kur e zgjedhin, është shumë i sfidueshëm”, tha Rexha.
Ai ka përmendur edhe rreziqet me të cilat janë përballur gazetarët dhe ekipet e mediave ndër vite, veçanërisht gjatë raportimit nga veriu i Kosovës në vitin 2023, si dhe gjatë protestave të fundit në Prishtinë.
“Po, janë një sërë ngjarjesh gjatë gjithë kohës, edhe të pasluftës, edhe ato që ndodhën në vitin 2023 me trazirat në veriun e Kosovës, për shumë gazetare, se shumica e kolegëve në terren janë gazetare gra, por edhe për të gjithë të tjerët dhe kolegët kameramanë, burra dhe të tjerë, shoferë, madje, të gjitha ekipet kanë qenë të ekspozuara ndaj rreziqeve të ndryshme, edhe në veri në vitin 2023, pastaj në raste të tjera më të izoluara dhe, natyrisht, kohëve të fundit edhe në Prishtinë me protestat, me përtëritjen e përdorimit të gazit lotsjellës. Ne e kemi parasysh që edhe statusi ekonomik e financiar i shumë gazetarëve, sidomos të rinjve, nuk është në nivelin që të mund të kërkojnë vetë ndihmë psikologjike. Kështu që ideja e AGK-së është që ta flasim fillimisht, që të largohet stigma, të pranohet se është krejt në rregull që të kërkohet ndihmë, dhe pastaj gjithashtu t’ua mundësojmë anëtarëve tanë që edhe këtë lloj konsultimi me psikologë ta marrin falas”, ka thënë Rexha.
Ndryshe, gjatë vitit 2025 janë shënuar mbi 60 raste të sulmeve ndaj gazetarëve./EO