SHBA-ja për Dialogun Strategjik: Presim përmbushjen e zotimeve të Kosovës në raport me serbët
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar se zhvillimi i Dialogut Strategjik SHBA–Kosovë varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, duke përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.
Në një përgjigje për RTK-në, një zëdhënës i Ambasadës Amerikane ka rikujtuar se ky dialog është pezulluar për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025.
“Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.
Megjithatë, SHBA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta me Kosovën.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, thuhet më tej në përgjigje.
Sa i përket mundësisë së rifillimit të dialogut, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se ai mund të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura, duke përmendur në mënyrë të veçantë zotimet e Kosovës ndaj komunitetit serb.
“Presim që Dialogu Strategjik të zhvillohet me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, dhënë për RTK-në.
Ditë më parë, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula në takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ka diskutuar për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, rikthimin e Dialogut Strategjik dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim Shiroka Pula ka theksuar se Republika e Kosovës e çmon lart mbështetjen bipartizane e të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleates strategjike dhe partneres së pazëvendësueshme.
Në këtë kontekst, presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, deklaroi presidentja Shiroka-Pula.