“Termokosi” do ta nisë nesër sezonin e ngrohjes, mbi 25 mijë konsumatorë do të furnizohen
Foto: Laura Hasani

“Termokosi” do ta nisë nesër sezonin e ngrohjes, mbi 25 mijë konsumatorë do të furnizohen

Aktuale October 14, 2026 - 13:02

Ndërmarrja “Termokos” ka njoftuar se është e gatshme të nisë sezonin ngrohës 2026/2027, më 15 tetor, sipas kalendarit të rregullt.

Kështu ka bërë të ditur për për teve1.info zëdhënësja e "Termokosit", Afërdita Uka-Fejzullahu, e cila ka potencuar se ndërmarrja tashmë ka nënshkruar marrëveshjen për furnizim me energji me KEK-un.

Sipas saj, me fillimin e sezonit të ri, me ngrohje do të furnizohen mbi 25 mijë konsumatorë, të cilët aktualisht janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes.

“Në harmoni të plotë me Rregulloren për furnizim me energji të ZRRE-së, me misionin tonë dhe pasi janë realizuar me sukses të gjitha përgatitjet e nevojshme, ne jemi të gatshëm për fillimin e sezonit ngrohës 2026/2027, sipas kalendarit të rregullt më 15 tetor. Tashmë, është nënshkruar edhe marrëveshja për furnizim me energji me KEK-un. Na ndajnë edhe pak orë para se të fillojmë të marrim sasitë e para të avullit nga termocentrali 'Kosova B' për prodhimin e ngrohjes dhe fillimin e furnizimit me ngrohje për mbi 25 mijë konsumatorë, aq sa i kemi të kyçur aktualisht në rrjetin e ngrohjes. Marrja e avullit do të fillojë me kapacitet minimal dhe do të vazhdojë të ngritet gradualisht për t’iu përshtatur nevojave të konsumatorëve për energji ngrohëse”, ka thënë Uka-Fejzullahu.

Tutje, Uka-Fejzullahu ka thënë se furnizimi me avull nga termocentrali “Kosova B” do të nisë me kapacitet minimal, i cili do të rritet gradualisht, varësisht nga nevojat e konsumatorëve për ngrohje.