Associated Press për protestën në Prishtinë: Më e madhja mbarëkombëtare deri tani kundër Speciales
Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten në sheshet qendrore të Prishtinës në protestën më të madhe mbarëkombëtare deri tani kundër aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta u zhvillua pas aktgjykimeve të shpallura këtë muaj në Hagë, me të cilat ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Mijëra qytetarë protestuan në Prishtinë, në atë që Associated Press e përshkruan si protestën më të madhe mbarëkombëtare deri tani kundër aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, transmeton Zeri.info.
Tutje mediumi shkruan se gjatë protestës u dëgjuan edhe kritika ndaj Bashkimit Evropian, ndërsa një grup qytetarësh shprehu zhgënjim me vendet e BE-së për mbështetjen që i kanë dhënë gjykatës në Hagë.
Një prej protestuesve, Iliriana Bullartovci, e cila kishte udhëtuar nga një qytet i vogël së bashku me vajzën e saj, tha për AP se katër të dënuarit janë “të pafajshëm”.
“Kjo është një padrejtësi e madhe”, citohet të ketë thënë ajo.
Sipas AP-së, aktgjykimet kanë shkaktuar protesta të përditshme në Kosovë që nga shpallja e tyre. Protestuesit dhe një pjesë e politikanëve në Kosovë kanë shprehur shqetësimin se vendimi mund të dëmtojë mënyrën se si perceptohet lufta e UÇK-së dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës.
Gjatë luftës së viteve 1998-1999, sipas të dhënave të cituara nga AP, u vranë më shumë se 13 mijë persona, ndërsa rreth një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Protestat po zhvillohen në një periudhë të tensionuar politike në Kosovë. AP raporton se Kuvendi i Kosovës, në një nga rastet e rralla të unitetit politik, ka miratuar unanimisht një deklaratë për aktgjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar të ndërmerren hapa për kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara në Hagë. /Zëri