Kurti si “forcë bashkuese” për partitë shqiptare në Luginën e Preshevës

Kurti si “forcë bashkuese” për partitë shqiptare në Luginën e Preshevës

Aktuale October 01, 2026 - 21:45

Për vite me radhë, partitë shqiptare kanë ndarë të ndara nga ambiciet politike, rivalitetet dhe pikëpamjet e ndryshme për mënyrën e përfaqësimit të interesave të shqiptarëve në Serbi.

Megjithatë, këtë vjeshtë, tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, do të përpiqen për herë të parë të fitojnë mandate parlamentare me një listë të përbashkët, “Koalicioni Shqiptar”.

Në bashkimin e tyre ka pasur rol të rëndësishëm Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, i cili i ka sjellë rivalët politikë në të njëjtën tryezë.

Marrëveshja mund ta ndryshojë mënyrën se si shqiptarët e jugut të Serbisë do të paraqiten ndaj Beogradit, por edhe të hapë çështjen e ndikimit të Prishtinës në politikën e tyre.

“Ka pasur rivalitete personale dhe ambicie. Këtë herë, është krejt e mundshme që Kurti të ketë qenë ai që i detyroi të ulen në një tryezë dhe ata do të jenë dukshëm më të fortë; zëri i tyre do të dëgjohet shumë më tepër në Kuvendin e Serbisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm.

Roli i kryeministrit të Kosovës është thelbësor edhe për Belgzim Kamberin nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë.

“Për disa vjet, po të njëjtat parti nuk arritën të organizojnë asnjë diskutim të përbashkët, qoftë edhe simbolik, duke lejuar praktikisht që të shuhet edhe Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, i cili shërbente si një mekanizëm i përbashkët vetorganizimi për përcaktimin e drejtimeve strategjike dhe politike të shqiptarëve në këto tri komuna”, thotë ai.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe kombëtare në vend.

Çfarë thonë politikanët?

Visar Memeti, udhëheqës i Alternativës për Ndryshim, thotë se marrëveshja u arrit në takimin e dytë falë kryeministrit të Kosovës.

“Në vitin 2020 kishim tre deputetë, më pas u përçamë dhe rezultati ishte një deputet. Synimi ynë tani është të fitojmë sërish tre deputetë; kështu forca jonë në Kuvendin e Serbisë do të jetë shumë më e madhe”, thotë Memeti.

Udhëheqësi i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ishte përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Serbisë.

Ai thotë se mes nënshkruesve të marrëveshjes për paraqitje të përbashkët ka “kundërshti diametralisht të kundërta” sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare, kërkesave dhe hapave që duhet t’i ndërmarrin përfaqësuesit e shqiptarëve. Megjithatë, thotë ai, ato u tejkaluan përmes ndërmjetësimit dhe këshillave të kryeministrit të Kosovës.

“Partitë që në vitet 2022/2023 morën pjesë në zgjedhje në mënyrë të pavarur, jashtë listës sonë që ishte shumicë, e panë se është e vështirë të fitohet mandat pa u bashkuar. Tani, me sa duket, e kanë kuptuar këtë dhe kemi arritur te ky rezultat”, tha Kamberi për REL-in.

Kamberi dhe Memeti thonë se janë dakorduar për paraqitje të përbashkët edhe pas zgjedhjeve.

“Pas zgjedhjeve do të vendosim nëse do ta mbështesim Qeverinë apo do të qëndrojmë në opozitë, por tani për këtë mund të flasim vetëm në mënyrë hipotetike”, thotë Memeti.

Për çfarë do të angazhohen?

Tetë partitë – Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma, Alternativa për Luginën dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve – do të përpiqen të zbatojnë një plan prej shtatë pikash, të dakorduar me Qeverinë e Serbisë.

Plani parasheh përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës, si dhe përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.

Kamberi vë në dukje se neni 5 i marrëveshjes e përfshin drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës në konsultimet për çështjet kyçe strategjike.

Kjo, shton ai, “de facto e forcon më tej rolin e Albin Kurtit”, pra ai do të mund të orientojë politikisht dhe të përcaktojë veprimin e përfaqësuesve të zgjedhur shqiptarë në Serbi.

Burhan Behluli, kryeredaktor i TV Spektri në Bujanoc, thekson se pjesëtarët e komunitetit shqiptar në komunat e jugut të Serbisë, ku ata përbëjnë shumicën, prej vitesh u kanë kërkuar përfaqësuesve të tyre politikë të bashkohen në përfaqësimin e interesave në nivel qendror në Serbi. Kërkesa është shtrirë edhe në marrëdhëniet me Beogradin, Prishtinën dhe Tiranën.

“Besoj se disponimi në terren dhe mosbesimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve ndaj politikanëve aktualë kanë ndikuar që ata ta shohin më realisht pozitën e tyre dhe të pranojnë marrëveshjen. Sikur vendimi të varej vetëm prej tyre, mendoj se marrëveshja nuk do të arrihej fare ose ata do të garonin sërish të ndarë në të paktën tri kampe”, vlerëson Behluli në një deklaratë për REL-in.

Paraqitja e përbashkët e partive shqiptare u iniciua nga Tirana zyrtare më 2020, por atëherë njëra prej partive refuzoi t’i bashkohej thirrjes.

Ndryshe, përfaqësuesit shqiptarë prej vitesh tregojnë për praktika diskriminuese ndaj këtij komuniteti në Serbi, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

Me autoritetet e Serbisë, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë nënshkruar në vitet 2001, 2007 dhe 2013 tri marrëveshje që parashihnin mbrojtjen e të drejtave dhe integrim më të mirë të pakicës shqiptare. Zbatimi i tyre, në praktikë, ka munguar.

Përfaqësimi më i madh i shqiptarëve në institucionet shtetërore është gjithashtu pjesë e obligimeve të Serbisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më pak para për jugun e Serbisë

Analisti politik nga Prishtina, Belgzim Kamberi, vlerëson se pozita e pakicës shqiptare në Serbi është dobësuar gjatë qeverisjes së Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit.

Ai thotë se rezultati i kësaj marrëveshjeje mund të jetë përfaqësim më i madh parlamentar në Kuvendin e Serbisë, por se kjo nuk mjafton.

“Vlera e vërtetë e këtij përfaqësimi do të matet, para së gjithash, me ndikimin në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, përfaqësimin në institucione, avancimin e të drejtave individuale dhe kolektive dhe rikthimin e problemeve të kësaj zone në agjendën politike”, thotë Kamberi.

Aleksandar Popov vëren gjithashtu se Serbia ka ndarë më pak para për jugun, ku qytetarët përballen me papunësi dhe me vështirësinë e njohjes së diplomave të marra në Kosovë.

“Pavarësisht se kush do të jetë në pushtet, shpresoj se do të ketë shumë më tepër ndjeshmëri për zonat e pazhvilluara që, kryesisht, ndodhen në skajet e Serbisë ku jetojnë pakicat. Një nga prioritetet e autoriteteve të reja duhet të jetë forcimi i besimit të ndërsjellë, që pakicat të ndihen se janë në vendin e tyre”, thotë Popov.

Kërkesa për vende të garantuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 30 shtator tha se paraqitja e përbashkët në listën “Koalicioni Shqiptar” mund të jetë një hap i rëndësishëm dhe historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës në luftën “kundër diskriminimit dhe përjashtimit, si dhe kundër spastrimit administrativ etnik” në Serbi.

Ai përsëriti qëndrimin se pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Serbi duhet t’i kenë të njëjtat të drejta si pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfshirë ulëset e rezervuara për pakicat në Kuvend.

Për listat e pakicave kombëtare në Serbi vlen i ashtuquajturi prag natyror, që do të thotë se ato mund të marrin pjesë në ndarjen e mandateve edhe nëse nuk fitojnë të paktën 3 për qind të votave. Gjatë ndarjes së mandateve, koeficientët e fituar nga listat e pakicave rriten me 35 për qind.

Kamberi thotë se qëllimi i kërkesës së kryeministrit Kurti është një përfaqësim parlamentar më i fuqishëm dhe zgjidhja e asimetrisë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadrin kushtetues, ligjor dhe institucional të përfaqësimit të pakicave kombëtare.

“Megjithatë, nuk është shumë reale të pritet që një kërkesë e tillë të realizohet që në përbërjen e ardhshme të parlamentit. Do të ishte më prioritare që deputetët shqiptarë të arrijnë rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, përfaqësimin institucional, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, çështjen e pasivizimit të adresave, arsimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe në zgjidhjen e pabarazive dhe padrejtësive që vazhdojnë t’i prekin shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thekson ai.

Për kryeredaktorin e televizionit lokal në Bujanoc, Burhan Behluli, është e rëndësishme të gjendet një model që do të siguronte përfaqësim të vërtetë të komunitetit shqiptar në Serbi.

“Nuk duhet harruar se ulëset e garantuara në Kosovë rregullohen me Kushtetutë. Prandaj, një çështje është arsyetimi politik i një kërkese të tillë, ndërsa çështje tjetër është realizueshmëria e saj në kuadrin ekzistues kushtetues dhe zgjedhor të Serbisë”, vëren ai.

Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan e mbështeti në fillim të vitit një projektligj që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit të përgatisë një raport mbi pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të posaçëm te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Projektligji, i iniciuar nga kongresmeni Keith Self, parasheh shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pakicën kombëtare shqiptare në Serbi. Kjo përfshin fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar, gjë që çon në humbjen e shtetësisë serbe.

Projektligji trajton edhe kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi për vitin 2023. /REL