AKR: Deri më 6 tetor partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët për Presidentin
Foto: Laura Hasani

AKR: Deri më 6 tetor partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët për Presidentin

Aktuale September 23, 2026 - 18:38

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke u bërë thirrje partive parlamentare që deri më 6 tetor të gjejnë një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në reagimin e saj, AKR-ja ka theksuar se vendimi i Kushtetueses e ka bërë të qartë rëndësinë e afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë se vendi ndodhet përpara një afati vendimtar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Deri më 6 tetor, partitë parlamentare duhet të bëjnë çmos për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për t’i dhënë Kosovës një President që gëzon konsensus sa më të gjerë politik dhe shoqëror”, thuhet në reagimin e AKR-së.

Sipas kësaj partie, në këtë periudhë duhet të mbizotërojë përgjegjësia shtetërore mbi interesat partiake.

“Në një moment kaq të ndjeshëm për vendin, interesat partiake duhet t’i lënë vend përgjegjësisë shtetërore”, thuhet më tej.

AKR-ja ka lidhur situatën institucionale edhe me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bën edhe më të domosdoshme që Kosova të ketë institucione të konsoliduara, funksionale dhe një skenë politike të aftë të bashkërendojë veprimet e saj për çështjet me interes kombëtar”, thuhet në reagim.

AKR-ja ka kërkuar që institucionet të fokusohen në procesin e apelimit të vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara.

“Fokusi i institucioneve tona duhet të jetë tek apelimi i vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara si dhe tek ofrimi i mbështetjes së nevojshme për të garantuar që historia jonë nuk rishkruhet nga vendimet gjyqësore të motivuara politikisht”, thuhet në reagimin e Aleancës Kosova e Re.

Kjo parti u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike parlamentare që të tejkalojnë dallimet dhe kalkulimet politike dhe të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin.

“Aleanca Kosova e Re u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të tejkalojnë dallimet dhe kalkulimet e ngushta politike dhe të angazhohen seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual”, thuhet në reagim.

“Tash më shumë se kurrë kërkohet pjekuri politike, dialog e unitet. Kosova është më e rëndësishme se secila parti. Përballë sfidave që na presin, institucionet e vendit duhet të jenë funksionale, ndërsa spektri politik duhet të jetë i aftë të bashkohet aty ku kërkohet mbrojtja e interesit të Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i AKR-së.