Kusari-Lila: Bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Kroaci ka hapësirë për t’u zgjeruar

Kusari-Lila: Bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Kroaci ka hapësirë për t’u zgjeruar

Aktuale September 23, 2026 - 18:36

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë ka potencial për t’u zgjeruar më tej.

Ajo mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, në bashkëpunim me Ambasadën e Kroacisë në Kosovë, në prag të Ditës së Biznesit Kroat në Kosovë.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve, mundësitë për rritjen e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të biznesit.

Aktualisht, në Kosovë operojnë 77 biznese kroate. Kusari-Lila tha se përmes aktiviteteve të përbashkëta promovuese dhe krijimit të mundësive të reja për investime synohet rritja e këtij numri.

Sipas të dhënave të prezantuara, eksportet e Kosovës drejt Kroacisë janë rritur për 17 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa importet kanë shënuar rënie prej 11 për qind.

Megjithatë, bilanci tregtar vazhdon të jetë në deficit për Kosovën, ndërsa ministrja tha se kjo paraqet hapësirë për rritjen e eksporteve kosovare dhe për një shkëmbim më të balancuar tregtar.

Kusari-Lila theksoi se forcimi i bashkëpunimit ekonomik kontribuon edhe në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, të cilat, sipas saj, mbështeten edhe në lidhje historike dhe në përkrahjen e Kroacisë për Kosovën.