BE-ja pas vendimit në Hagë: Të dënuarit kanë të drejtë ankese, të gjithë në Kosovë dhe rajon të tregojnë përmbajtje
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të ushtrojnë përmbajtje pas vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wiegand, tha në një konferencë për media në Bruksel se BE-ja ka marrë parasysh vendimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se procesi është zhvilluar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale. transmeton Zeri.info.
“Personat e dënuar kanë të drejtë të ankohen në një procedurë të veçantë. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve, aktorëve në Kosovë dhe në rajon të ushtrojnë përmbajtje. Dhomat e Specializuara dhe Zyrat e Prokurorëve të Kosovës duhet ta kryejnë mandatin e tyre pa ndërhyrje. Drejtësia duhet të marrë rrugën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat”, tha Wiegand.
Ai rikujtoi mbështetjen afatgjatë të BE-së për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se institucioni është themeluar brenda sistemit juridik të Kosovës me vendim të Kuvendit.
Sipas tij, puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe për të kontribuar në procesin e pajtimit.
Wiegand theksoi gjithashtu se autoritetet në Kosovë kanë përgjegjësi për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në territorin e vendit.
“Është thelbësore që Dhomat e Specializuara të Kosovës të mund të veprojnë pa frikë dhe kërcënime dhe të ofrojnë mbrojtje për viktimat dhe dëshmitarët”, tha ai.
Ndërkaq, zëdhënësi tjetër i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, rikujtoi qëndrimin e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, se vendimet e gjykatës duhet të respektohen.
Mercier theksoi se bëhet fjalë për vendime të shkallës së parë dhe se personat e dënuar kanë të drejtë ankese.
Ai u bëri thirrje aktorëve në rajon që përmes pajtimit të kapërcejnë përçarjet dhe të punojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët brenda Bashkimit Evropian./Zëri