Kandiq: Serbia synoi që shqiptarët të ishin 5% në Kosovë, prandaj u dëbuan 800 mijë në vitin 1999
Foto: Laura Hasani

Kandiq: Serbia synoi që shqiptarët të ishin 5% në Kosovë, prandaj u dëbuan 800 mijë në vitin 1999

Aktuale September 18, 2026 - 11:41

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasa Kandiq, ka reaguar lidhur me luftën në Kosovë, duke hedhur poshtë pretendimet që e paraqesin konfliktin pa përgjegjësinë e Serbisë.

“T’i japim fund injorancës. Nuk ka luftë pa Serbinë”, ka shkruar Kandiqi.

Ajo ka deklaruar se plani serb për Kosovën ishte reduktimi i popullsisë shqiptare në 5 për qind dhe se rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan gjatë luftës.

Sipas Kandiqit, gjatë 78 ditëve, nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, policia dhe ushtria e Serbisë vranë rreth 7 mijë civilë shqiptarë që, sipas saj, nuk kishin marrë pjesë në luftë.

Aktivistja ka thënë gjithashtu se pas luftës në Kosovë kishin mbetur rreth 100 mijë serbë.

Deklarata e saj vjen në kuadër të debatit të vazhdueshëm mbi përgjegjësinë për krimet dhe dëbimet e civilëve gjatë luftës së Kosovës.