Momentet kyçe të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Momentet kyçe të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Aktuale September 16, 2026 - 08:24

Pas më shumë se pesë vjetësh nga arrestimi i tyre, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi presin sot në Hagë vendimin e trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Arrestimi i ish krerëve të UÇK-së ka ndodhur në nëntor 2020, ndërsa gjykimi filloi në prill 2023.

Në këtë ditë të rëndësishme, rikthejmë në vëmendje disa nga momentet kryesore që shënuan rrugëtimin e procesit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së – nga arrestimi deri më sot, kur presim aktgjykimin.

Arrestimet në nëntor 2020

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në paraburgim në Hagë në nëntor 2020. Ata u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave.

Aktakuza përfshin krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Prokuroria pretendon se gjatë periudhës së luftës 1998–1999 janë kryer vrasje, përndjekje, burgosje/ndalim, torturë dhe vepra të tjera ndaj personave të ndryshëm. Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023

Pra, nga fillimi i gjykimit deri te mbyllja e procedurës së provave kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë. Prokuroria e mbylli paraqitjen e saj më 15 prill 2025.

Gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit - Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave

Katër akuza për krime lufte - arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme

Viktimat kanë status të veçantë në proces

Qindra persona kanë kërkuar të marrin pjesë si viktima. Numri i viktimave pjesëmarrëse ka ndryshuar gjatë procesit dhe, sipas të dhënave më të fundit të gjykatës, është 156.

Katër ish-krerët e UÇK-janë janë deklaruar të pafajshëm

Në seanca të ndara katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm.

Deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt 2026

Pas përfundimit të provave më 18 dhjetor 2025, palët dorëzuan parashtresat përfundimtare dhe deklaratat përmbyllëse u zhvilluan 9–18 shkurt 2026.

Sot, më 16 shtator 2026 është dita e aktgjykimit

Trupi gjykues e caktoi shpalljen e aktgjykimit për 16 shtator 2026, në orën 10:00.

Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe, sipas njoftimit zyrtar, është paraparë të zgjasë deri në orën 12:00. /Telegrafi