Katër ditë pa ditarë shkollorë, AVONET kërkon përgjegjësi nga Ministria e Arsimit
Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka shprehur shqetësim lidhur me mungesën e ditarëve shkollorë në shkollat e Kosovës, duke e cilësuar këtë situatë si “dështim të papërgjegjshëm institucional”.
Sipas AVONET-it, edhe në ditën e katërt nga fillimi i vitit të ri shkollor, mësimdhënësit nuk kanë në dispozicion ditarët shkollorë, të cilët janë një nga mjetet bazë për evidentimin dhe dokumentimin e procesit mësimor.
“Fakti që mësimdhënësit, në ditët e para të vitit shkollor, nuk kanë në dispozicion një mjet elementar të punës, është i papranueshëm dhe ngre seriozisht çështjen e planifikimit dhe menaxhimit institucional të fillimit të vitit shkollor”, thuhet në reagimin e AVONET-it.
Organizata ka ngritur disa pyetje ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfshirë arsyen pse ditarët nuk janë siguruar dhe shpërndarë para fillimit të mësimit dhe se kush mban përgjegjësi për këtë vonesë.
AVONET vlerëson se mungesa e ditarëve për katër ditë nuk duhet të trajtohet si një vonesë e zakonshme administrative.
“Katër ditë pa një mjet bazë të punës janë tregues i një dështimi në planifikim dhe koordinim institucional”, theksohet në reagim.
Rrjeti i OJQ-ve ka kërkuar nga MASH-i që të japë sqarim publik për arsyet e mungesës së ditarëve, masat e ndërmarra për furnizimin e shkollave, afatin konkret për pajisjen e tyre dhe përgjegjësinë institucionale për vonesën.
AVONET ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë këtë çështje, duke kërkuar që probleme të tilla të mos normalizohen, por të adresohen me përgjegjësi dhe transparencë. /Zëri