Kurti pret kryetarin e Izmirit, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, dr. Cemil Tugay, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, Kurti ka folur për lidhjen e veçantë të shqiptarëve me qytetin e Izmirit, ndërsa ka theksuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë për Kosovën.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Izmirit në disa fusha.
Në fokus kanë qenë ekonomia, industria dhe ndërmarrësia, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, si dhe bujqësia, mjedisi dhe energjia.
Palët kanë diskutuar edhe për potencialin për rritjen e investimeve dhe shkëmbimit tregtar, ndërsa është vlerësuar si i rëndësishëm shkëmbimi i përvojave në fusha të ndryshme, veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbeturinave.
Në takim është përmendur edhe roli i komuniteteve shqiptare në Turqi dhe atij turk në Kosovë, të cilat u cilësuan si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve.
Kryetari i Izmirit, Cemil Tugay, po qëndron në Kosovë së bashku me delegacionin e tij, ndërsa takimi me Kurtin u përqendrua në mundësitë për bashkëpunim më të drejtpërdrejtë ndërmjet Izmirit dhe Kosovës. /Zëri