Përurohet rruga rajonale Shipashnicë – Desivojcë - Terstenë, investimi kap vlerën prej mbi 3.2 milionësh

Përurohet rruga rajonale Shipashnicë – Desivojcë - Terstenë, investimi kap vlerën prej mbi 3.2 milionësh

Aktuale August 05, 2026 - 14:52

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, dhe kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë përuruar përfundimin e projektit për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale R124, Shipashnicë – Desivojcë - Terstenë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, projekti ka kushtuar rreth tre milionë e 256 mijë euro dhe përfshin rehabilitimin dhe asfaltimin e një segmenti rrugor me gjatësi prej rreth 10 kilometrash.

Kurti tha se rruga do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe bizneseve, duke ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

“Mundësohet qarkullimi më i shpejtë, më i lehtë i qytetarëve, edhe i bizneseve. Është rrugë e rëndësishme për bashkatdhetarët tanë, është rrugë e rëndësishme për bizneset dhe për zhvillimin ekonomik, gjithashtu është e rëndësishme edhe për turizmin e këtyre zonave të bukura të komunës së Kamenicës”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se rruga ka gjerësi prej rreth gjashtë metrash dhe lidh Shipashnicën me Desivojcën dhe Terstenën.

Sipas kryeministrit në detyrë, punimet janë realizuar nga operatori ekonomik brenda 195 ditëve pune, ndërsa gjatë ndërtimit është vendosur shtresa bazike dhe ajo përfundimtare e asfaltit, si dhe sinjalizimi horizontal e vertikal për rritjen e sigurisë në trafik.

Kurti e cilësoi përfundimin e projektit si një lajm të mirë për banorët e kësaj pjese të Kamenicës, duke uruar qytetarët për përfundimin e investimit. /Zëri

Image