IKD-ja dhe OVL UÇK-ja diskutojnë për pensionet e veteranëve dhe mbrojtjen e vlerave të luftës
Përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) kanë zhvilluar një takim, ku kanë diskutuar për të drejtat e kategorive të dala nga lufta, me theks të veçantë te moszbatimi i vendimeve gjyqësore për pensionet dhe iniciativa për ndryshime ligjore.
Në një njoftim nga IKD-ja thuhet se në takim përfaqësuesit e tyre, Ehat Miftaraj dhe Betim Musliu, u pritën nga kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, nënkryetarët Gazmend Syla dhe Fatmir Sopi, si dhe këshilltari ligjor i organizatës, avokati Gafurr Elshani.
Sipas njoftimit, palët shprehën shqetësim për moszbatimin nga Departamenti i Pensioneve në kuadër të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare të aktgjykimeve që u njohin kategorive të dala nga lufta të drejtën për pension të dyfishtë.
Ata theksuan se, pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatave, Ministria vazhdon të nxjerrë vendime të reja me të njëjtat arsye juridike dhe faktike, duke ua ndërprerë qytetarëve këtë të drejtë.
Sipas IKD-së dhe OVL UÇK-së, një praktikë e tillë cenon autoritetin e vendimeve gjyqësore, parimin e çështjes së gjykuar (res judicata), si dhe sigurinë juridike, pasi qytetarët detyrohen të ndjekin vazhdimisht procedura të reja administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje.
Gjatë takimit u diskutua edhe nisma legjislative qytetare e IKD-së për ndryshimin e Kodit Penal, me të cilën synohet të sanksionohet penalisht moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga zyrtarët përgjegjës, si dhe përdorimi i parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
IKD-ja kërkoi mbështetjen e OVL UÇK-së për këtë nismë, ndërsa organizata e veteranëve konfirmoi se do ta përkrahë atë.
Në fund të takimit, palët u pajtuan se mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së duhet të bëhet përmes inicimit dhe miratimit të Ligjit për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. /Zëri