Islami: Nuk ka dallime etnike në aksionet për ndërtimet pa leje

Islami: Nuk ka dallime etnike në aksionet për ndërtimet pa leje

Aktuale July 22, 2026 - 18:32

Analisti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar lidhur me aksionet për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë, duke theksuar se sundimi i ligjit dhe trajtimi i barabartë i qytetarëve, pa dallime etnike, mbeten parimet themelore që udhëheqin veprimet e institucioneve shtetërore. Sipas tij, zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike.

"Sundimi i ligjit dhe trajtimi i barabartë i qytetarëve, pa dallime etnike, mbeten parimet kryesore të aksionit shtetëror për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë. Ky operacion, i cili tashmë ka përfshirë edhe në zona si Rugova, Brezovica e Batllava, po shtrihet në të gjithë vendin, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës", tha ai.

Sipas tij, fokus i ndërhyrjeve të fundit është bërë rreth Liqenit të Ujmanit, ku janë evidentuar raste të shumta të paligjshme, disa prej të cilave u përkasin eksponentëve të lartë politikë serbë.

"Megjithëse mediat zyrtare në Beograd kanë tentuar ta paraqesin këtë operacion si një lëvizje me prapavijë politike, ky qëndrim bie ndesh me faktet në terren. Mbështetja e plotë e aksionit mbi bazën ligjore çaktivizon çdo tentativë për propagandë dhe i zhvesh këto pretendime nga çdo argument juridik apo faktik", shkroi Islami në Facebook".