Aksion në 26 autoparkingje në Prizren e Suharekë, konstatohen shkelje të ndryshme
Inspektorati Qendror i Punës ka realizuar një aksion të përbashkët inspektues në komunat e Prizrenit dhe Suharekës, në bashkëpunim me disa institucione të tjera të vendit.
Në aksion kanë marrë pjesë Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Inspektorati Qendror i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (IQMINT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit, inspektimet janë zhvilluar në gjithsej 26 autoparkingje, me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe evidentimit të parregullsive në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet përkatëse, në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin ndërinstitucional për forcimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe krijimin e një ambienti të sigurt e të ligjshëm të punës.