Rrënimet në Ujman, reagon Serbia: Kurti po u hakmerret serbëve

Rrënimet në Ujman, reagon Serbia: Kurti po u hakmerret serbëve

Aktuale July 21, 2026 - 13:06

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar pas rrënimit të disa shtëpizave në brigjet e liqenit të Ujmanit, duke e cilësuar aksionin si të paligjshëm dhe politikisht të motivuar.

Në një deklaratë, kjo zyrë pretendon se objektet, të cilat sipas saj kanë qenë në pronësi të serbëve për dekada, janë prishur pa vendim gjykate dhe e akuzon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për “hakmarrje ndaj serbëve”.

“Ky është një demonstrim brutal i fuqisë së institucioneve të përkohshme në Prishtinë, të cilat shkelin rregulloret e tyre vetëm kur është e nevojshme të godasin popullin serb”, thuhet në deklaratë, transmeton Zeri.info.

Sipas Zyrës, pronarët janë njoftuar për prishjen përmes një njoftimi të vendosur në objektet e tyre dhe nuk kanë marrë vendim gjykate kur e kanë kërkuar atë.

Po ashtu, në reagim pretendohet se Komuna e Zubin Potokut nuk ka lëshuar leje për prishjen e objekteve dhe se pronarët kishin ofruar zgjidhje kompromisi, ndërsa përfaqësuesi i tyre ligjor kishte iniciuar procedura gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Zyra i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që, sipas saj, të reagojë ndaj këtij rasti dhe të mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë.

Kujtojmë se mëngjesin e kësaj të marte në brigjet e liqenit të Ujmanit ka nisur një aksion për rrënimin e 11 vilave që ishin ndërtuar ilegalisht. /Zëri