IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura
Foto: Laura Hasani

IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

Aktuale July 21, 2026 - 12:29

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur shqetësimin se një numër i madh institucionesh dhe agjencish të pavarura në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë me pozita të paplotësuara, mandate të skaduara ose procedura të papërfunduara për zgjedhjen e drejtuesve dhe anëtarëve, duke paralajmëruar se kjo po cenon funksionimin normal të tyre.

Sipas analizës së IKD-së, në disa institucione mungojnë shumica ose të gjithë anëtarët e organeve drejtuese. Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me 15 anëtarë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil me 11 anëtarë, ndërsa Komisioni për Ndihmë Shtetërore funksionon me mandate të skaduara që nga marsi i vitit 2022. Po ashtu, Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona është pa përbërje, ndërsa Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media duhet të plotësohet me tre anëtarë.

IKD-ja thekson se edhe institucionet kushtetuese përballen me mungesë të kuadrit, pasi Gjykata Kushtetuese duhet të zgjedhë dy gjyqtarë të rinj, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka një pozitë të paplotësuar.

Në raport përmendet edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, ku mandati i Avokatit të Popullit ka përfunduar më 28 shtator 2025, ndërsa mandatet e katër zëvendësve më 14 qershor 2025. Sipas ligjit, procedurat për zgjedhjen e tyre është dashur të nisin gjashtë muaj para përfundimit të mandateve.

Pozita drejtuese të paplotësuara ka edhe në Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, Komisionin Shqyrtues të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit, si dhe në institucione të tjera si Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Bordi i KOSTT-it, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Raporti evidenton gjithashtu se gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose pritet të përfundojnë mandatet e disa drejtuesve të institucioneve të rëndësishme, duke përfshirë komisionaren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, drejtorin e Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit, kryesuesin dhe dy anëtarë të Zyrës së Rregullatorit për Energji, auditorin e përgjithshëm dhe drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas IKD-së, situata është pasojë e krizës së zgjatur politike dhe institucionale, e cila nisi pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe u thellua me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025 dhe ato të 7 qershorit 2026. Edhe pse rezultatet e zgjedhjeve të fundit janë certifikuar më 8 korrik, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa vendi vazhdon të qeveriset nga një qeveri në detyrë.

Megjithatë, IKD-ja vlerëson se kriza politike nuk mund të arsyetojë të gjitha vonesat, pasi shumë procedura është dashur të niseshin muaj para skadimit të mandateve, në përputhje me kërkesat ligjore.

Instituti i bën thirrje Kuvendit që, menjëherë pas konstituimit, dhe Qeverisë, në përputhje me kompetencat e tyre, t'i japin përparësi përfundimit të procedurave të emërimit në institucionet dhe agjencitë e pavarura, duke garantuar transparencë, meritë dhe respektim të afateve ligjore.

Sipas IKD-së, institucionet e pavarura nuk duhet të mbeten peng i krizave politike, pasi çdo vonesë në plotësimin e tyre përkthehet në vonesë të funksionimit të shtetit. /Zëri

Image