KPK-ja merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë
Foto: Laura Hasani

KPK-ja merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë

Aktuale July 20, 2026 - 12:15

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës vendosi për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.

KPK-ja dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.

Po ashtu, në këtë takim Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi mbështetës serb votuan katër anëtarët: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Ndërkaq kundër votuan: kryesuesi Arian Gashi, kryeprokurori i Shtetit - Zejnulla Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Deri te ky vendim erdhi me propozim të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi, raporton Betimi për Drejtësi.

Kryesuesi Arian Gashi propozoi që për këtë çështje të diskutohet në takimet e radhës, me arsyetimin se duhet konsultim me Këshillin Gjyqësor.

Ai shtoi se po ashtu duhet të përgatiten edhe materialet. Propozimi i tij u përkrah nga kryeprokurori i Shtetit Zejnulla Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Në anën tjetër, anëtarja Arlinda Muqa tha se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, mund të ndodh vetëm nëse i nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Propozoi që të mbështetet propozimi i Vuniqit që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve dhe të dërgohen te Presidentja për lirim nga detyra.

Gjithashtu, edhe anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se nuk vlerëson se ka dicka për t’u diskutuar, duke shtuar se secili dha mendimin e vet, andaj propozoi që të vazhdohet me votim.

Propozimin e Vuniqit e përkrahu edhe anëtari Visar Krasniqi.

Më pas, me katër vota për, u miratua propozimi që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe të dërgohen tek Presidentja për lirim nga detyra.

Po ashtu, u shfuqizua vendimi për pezullimin e pagave të tyre, vendim i cili ishte marrë nga KPK-ja kur të njëjtit kishin ofruar dorëheqjet.