“Let’s Do It”: Zjarri në Sferkë është alarm për shëndetin publik, institucionet të veprojnë urgjentisht
Organizata “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” ka reaguar lidhur me zjarrin në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, duke kërkuar veprim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
Në reagimin e saj, organizata ka thënë se situata nuk duhet të trajtohet si një incident i zakonshëm, por si një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe mjedisin.“Ky nuk është vetëm një deponi që po digjet, ky është një alarm serioz për shëndetin publik, mjedisin dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Sipas organizatës, djegia e pakontrolluar e mbeturinave mund të lirojë substanca të rrezikshme në ajër, ndërsa tymi dhe era e rëndë po ndikojnë drejtpërdrejt te banorët e Sferkës dhe zonave përreth.
“Asnjë qytetar nuk duhet të detyrohet të mbyllet brenda shtëpisë për shkak të tymit. Asnjë familje nuk duhet të detyrohet të jetojë në pasiguri për cilësinë e ajrit”, ka theksuar “Let’s Do It”.Organizata u ka bërë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që të ndërhyjnë menjëherë, duke kërkuar jo vetëm shuarjen e flakëve, por edhe monitorimin e cilësisë së ajrit dhe vlerësimin e ndikimit në tokë dhe ujëra.
“Kërkojmë që pa humbur kohë të bëhet monitorimi profesional i cilësisë së ajrit, të vlerësohet ndikimi i mundshëm në tokë, në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore”, thuhet në reagim.
“Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” ka kërkuar gjithashtu që të përcaktohet përgjegjësia institucionale për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e deponisë, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për zgjidhje konkrete dhe jo për bartje të përgjegjësive.
Sipas organizatës, situata në Sferkë tregon problemet e vazhdueshme me menaxhimin e deponive në Kosovë dhe nevojën për reforma në këtë sektor.
“Ky është momenti i fundit për të ndërhyrë. Nuk mund të vazhdojmë të shtyjmë zgjidhjen, ndërsa deponitë mbushen, digjen dhe ndotin ajrin, tokën dhe ujërat tona”, thuhet në reagim.Në fund, organizata ka kërkuar hetim për shkakun e zjarrit, publikimin e rezultateve të matjeve të ajrit, mbrojtjen e banorëve dhe një plan konkret për mbylljen dhe rehabilitimin e deponive, si dhe nisjen e një sistemi funksional për ndarjen dhe riciklimin e mbeturinave në Kosovë.