Grajqevci: Serbia po e përdor çështjen e të zhdukurve për interesa politike, ndërkombëtaret duhet të ushtrojnë më shumë presion
Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Ahmet Grajqevci, ka akuzuar Serbinë për mungesë vullneti për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, duke thënë se Beogradi vazhdon ta përdorë këtë çështje si instrument politik dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po ushtron presion të mjaftueshëm për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur.
Grajqevci tha se procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur është neglizhuar jo vetëm nga Serbia, por edhe nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.
“Shiko, ky proces është neglizhuar qoftë edhe nga institucionet tona, po qoftë edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Se nga vetë Serbia, ai shihet neglizhenca e saj, bashkëpunimi i saj. Ne e dimë që njerëzit tanë janë në Serbi, gjallë dhe të vdekur që i ka marrë. Dhe për të vdekurit e dimë që i ka eksumuar varrezat masive për t’i fshehur gjurmët e krimit anë e kënd Serbisë, anë e kënd poligoneve serbe, anë e kënd burgjeve. Po është problemi edhe i atyre shqiptarëve të cilët janë marrë të gjallë dhe kanë hyrë në Serbi të gjallë. Dhe tash ne e dimë rrugëtimin e tyre, nuk e dimë vendndodhjen dhe përfundimin e tyre. Kush e di më mirë se ata që e kanë kryer atë krim? Kush e di më mirë se ata ku i kanë fshehur trupat dhe gjurmët?”, tha ai.
Grajqevci vlerësoi se çështja e personave të zhdukur është larguar nga karakteri i saj humanitar dhe është shndërruar në temë politike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Shteti i Kosovës nuk mund ta fusë Serbinë në dialog asnjëherë, sepse ky dialog përveç nga çështja humanitare ka kaluar në një çështje politike. E, cila kjo është dashur të përdoret si çështje humanitare. Por, bashkësia ndërkombëtare duhet ta bënte një trysni më të madhe, Bashkimi Evropian, mbi Serbinë, që të vazhdojë ky dialog. Sepse këta e neglizhojnë për interesat e veta politike këtë dialog”, u shpreh ai.
I pyetur nëse funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur mund të sjellë rezultate konkrete, Grajqevci tha se familjarët mbeten skeptikë për shkak të mungesës së gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar.
“Jo, ne gjithëherë e kemi thënë që jemi skeptikë nga dialogu me Serbinë, sepse ata nuk janë të gatshëm që të zgjidhet ky problem, sepse janë duke, siç thashë edhe më parë, duke e përdorur gjithëherë si problem politik. Edhe në momentin kur ky kalon si problem politik, atëherë Serbia nuk është e gatshme ta zgjidhë këtë problem”, tha Grajqevci.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosin kushte konkrete ndaj Serbisë në raport me procesin e dialogut sa i përket çështjes së personave të zhdukur.
“Bashkësia ndërkombëtare trysninë, jo, nuk është duke e bërë sa duhet, sepse kur ishte çështja e vëllezërve Bytyqi, do të thotë, para nja 48 orëve u zbulua rasti i Bytyqit. Do të thotë, Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare do të duhej të vinin kushte rreth dialogut me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur. Në momentin që bëhet një presion i fuqishëm ndaj Serbisë, Serbia patjetër e ka obligim moral, njerëzor dhe humanitar që t’i tregojë”, tha ai.
Sipas Grajqevcit, pa vullnet politik nga Serbia nuk mund të ketë përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Gjithsesi, pa një vullnet dhe pa një dashamirësi Serbia kurrë nuk do ta tregojë çështjen e personave të zhdukur, sepse ne e dimë që ata janë në Serbi, dimë edhe vendet ku janë. Por kur është problemi, delegacioni ynë, qoftë kur bisedon me ta, ata gjithherë e gjejnë një shkas: jo se kemi këtë, jo vonesat teknike, jo vonesat gjyqësore, e kështu neglizhohet dhe shtyhet deri në momentin kur atyre t’u konvenojë për një poen politik të thonë: ‘Ja, ne e bëmë këtë’. Ajo nuk ka kushte, do të thotë nuk ka kushte zbardhja e fatit të personave të zhdukur, sepse ato krime janë krime me paramendim. Janë kryer në mënyrë komanduese dhe administrative nga një shtet fqinj i yni, i cili e ka përdorur dhunën barbare mbi popullin shqiptar”, shtoi ai./EO