Çitaku: Prizreni, qyteti i parë jashtë SHBA-së që i bashkohet programit America250
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Prizreni, qyteti i parë jashtë SHBA-së që i bashkohet programit America250

Aktuale July 01, 2026 - 17:35

Prizreni është bërë qyteti i parë në Kosovë dhe njëherësh i pari jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës që i bashkohet programit America250, nismë që shënon 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.

Vlora Çitaku, deputetja e rizgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një statusi në Facebook ka cilësuar këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Me këtë rast është përgëzuar kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e kësaj iniciative.

Postimi i plotë:

Një lajm që na gëzon nga Prizreni!

Prizreni bëhet qyteti i parë, ndërsa Kosova vendi i parë në botë jashtë Shteteve të Bashkuara që i bashkohet programit America250, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Urime Kryetarit Shaqir Totaj dhe të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë moment domethënës. Kjo është një tjetër dëshmi se miqësia me Amerikën nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, por edhe e orientimit tonë të palëkundur për të ardhmen.
PDK ka qenë gjithmonë në anën e këtij orientimi, duke kultivuar vlerat mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës: lirinë, demokracinë, partneritetin strategjik dhe mirënjohjen e përhershme ndaj Shteteve të Bashkuara.

Raporti i Kosovës me Amerikën nuk duhet të jetë kurrë çështje e politikës ditore, por interesi ynë më i rëndësishëm shtetëror.