Kryesia e PDK-së diskuton zgjedhjet e brendshme dhe procesin në Hagë: Presim vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së
E MARTË
30 QER 2026
Ekonomi
Politikë
Nacionale
Komuna
Lifestyle
Sport
Kalendari
Video
ZGJEDHJET 2026
Kryesia e PDK-së diskuton zgjedhjet e brendshme dhe procesin në Hagë: Presim vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së
PRISHTINË | 30 QER 2026 | 18:54 | Nga Ekonomia Online
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar zhvillimet politike në vend, prioritetet organizative të partisë dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme.
Sipas njoftimit të PDK-së, gjatë takimit është vlerësuar se partia po hyn në një fazë të rëndësishme të konsolidimit organizativ përmes zgjedhjeve të brendshme, të cilat, sipas tyre, do të zhvillohen në përputhje me Statutin e partisë dhe parimet e demokracisë së brendshme.
“Kryesia e PDK-së vlerësoi se ky proces zgjedhor përbën një mundësi të rëndësishme për fuqizimin e strukturave, përfshirjen e energjive të reja dhe ndërtimin e një PDK-je më të fortë, më të bashkuar dhe më të përgatitur për sfidat politike dhe përgjegjësitë që e presin Kosovën”, thuhet në komunikatë.
Në mbledhje është diskutuar edhe për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kryesia diskutoi edhe për zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur pritjen që vendimi të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Partia ka theksuar se, pavarësisht sfidave politike, ka ruajtur unitetin dhe organizimin e saj, duke e cilësuar veten si forcën kryesore opozitare në vend.
“Kryesia ritheksoi se, pavarësisht sfidave politike, PDK-ja ka ruajtur unitetin, organizimin dhe pozitën e saj si partia kryesore opozitare në vend, duke mbetur forca me numrin më të madh të deputetëve në opozitë”, thuhet në komunikatë.
PDK ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për forcimin e demokracisë së brendshme dhe për ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar dhe më të integruar në institucionet euroatlantike.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar të respektojë vullnetin e anëtarësisë, të forcojë demokracinë e brendshme dhe të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar, më të sigurt dhe plotësisht të integruar në institucionet euroatlantike”, thotë njoftimi.