LDK-ja në Rahovec kërkon zgjedhje të përgjithshme brenda partisë
Foto: Laura Hasani

LDK-ja në Rahovec kërkon zgjedhje të përgjithshme brenda partisë

Aktuale June 27, 2026 - 17:10

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec përmes një komunikate të lëshuar në Facebook, ka kërkuar që partia t’i nënshtrohet një procesi të përgjithshëm zgjedhor në të gjitha nivelet organizative, duke filluar nga nëndegët e deri te kryetari i partisë.

"Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Rahovec, në mbledhjen e mbajtur më 26.06.2026, ndër të tjera e analizoi rezultatin zgjedhor në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, si në Komunën e Rahovecit, ashtu edhe në nivel të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec.

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec, njoftom se me unanimitet të anëtarëve prezentë të Kryesisë së Degës, vendos që duke marrë përgjegjësinë për këtë rezultat zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri tek Kryetari i LDK-së.

"Në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, pritjet e Degës dhe aktivistëve ishin për një rezultat më të mirë të LDK-së. Duke pasur parasysh rezultatin zgjedhor të dobët në përgjithësi dhe në veçanti në Rahovec, Dega e LDK-së në Rahovec vlerëson si të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet. Vetëm përmes këtij procesi të tillë gjithëpërfshirës, statutar dhe transparent do të garantohej një LDK e fortë", thuhet në njoftimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec.