Basha merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të WBIF-së, diskutohet infrastruktura në Kosovë
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë me misionin e Western Balkans Investment Framework (WBIF), ku është diskutuar ecuria e projekteve në zbatim dhe projektet e reja në sektorin e transportit dhe infrastrukturës.
Gjatë takimit, ministri Basha ka rikonfirmuar përkushtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për realizimin e projekteve strategjike që synojnë lidhjen e Republikës së Kosovës me Korridorin VIII, Korridorin X dhe rrjetin trans-evropian të transportit, përmes zhvillimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e investimeve në sektorin e transportit, me qëllim që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga një infrastrukturë më moderne, lëvizje më e shpejtë dhe më e sigurt, si dhe lidhje më të fuqishme me rajonin dhe Evropën.