Atifete Jahjaga inkurajon të rinjtë e diplomuar të ndërtojnë të ardhmen në Kosovë

Atifete Jahjaga inkurajon të rinjtë e diplomuar të ndërtojnë të ardhmen në Kosovë

Aktuale June 24, 2026 - 19:21

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së nëntë të CACTTUS Education, ku përgëzoi të rinjtë për arritjet e tyre dhe i inkurajoi që të shfrytëzojnë potencialin e teknologjisë për të krijuar mundësi të reja për veten dhe vendin.

Gjatë fjalimit të saj, Jahjaga theksoi se në botën digjitale nuk ekzistojnë kufizime gjeografike, duke nënvizuar se një ide e zhvilluar në Prishtinë mund të shndërrohet në një produkt që përdoret në tregjet ndërkombëtare.

Ajo vlerësoi kontributin e të rinjve kosovarë, të cilët sot janë të angazhuar në institucione publike, organizata ndërkombëtare dhe kompani globale, duke punuar në fusha si siguria kibernetike, mbrojtja e të dhënave dhe zhvillimi i teknologjive digjitale.

Megjithatë, ish-presidentja u bëri thirrje të rinjve që të mos kufizohen vetëm në kërkimin e mundësive të punës, por të bëhen krijues të tyre përmes themelimit të bizneseve dhe krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë.

Duke folur për zhvillimet e fundit teknologjike, Jahjaga theksoi rëndësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale në shërbim të njeriut, duke mbrojtur vlera si humanizmi, dinjiteti, privatësia dhe barazia e mundësive.

Një mesazh të veçantë ajo ua kushtoi vajzave të reja, duke i inkurajuar që të mos lejojnë stereotipet të përcaktojnë rolin e tyre në shoqëri dhe të jenë pjesë aktive e teknologjisë, inovacionit dhe udhëheqjes.

“Në botën e sotme, të rinjtë tanë mund të punojnë për tregun global, duke krijuar mundësi të reja dhe duke ndërtuar të ardhmen e tyre këtu, në Kosovë”, u shpreh Jahjaga.