Neurologu pediatrik ngre alarmin: Trotinetët elektrikë po shkaktojnë lëndime të rënda te fëmijët
Neurologu pediatrik, dr. Haki Jashari, ditë më parë ka ngritur shqetësimin për rritjen e numrit të aksidenteve me trotinetë elektrikë, duke bërë të ditur se javëve të fundit janë regjistruar raste të lëndimeve shumë të rënda, madje edhe me përfundim fatal.
Sipas tij, trotineti elektrik nuk duhet të konsiderohet lodër, pasi mund të arrijë shpejtësi të konsiderueshme dhe të shkaktojë trauma serioze të kokës, dëmtime të shtyllës kurrizore, fraktura dhe pasoja të përhershme për shëndetin.
Jashari rikujton se përdorimi i trotinetëve elektrikë në rrugë publike nuk lejohet për personat nën moshën 16-vjeçare, por thekson se shpesh shihen fëmijë shumë më të vegjël duke i përdorur ato.
“Si mjek dhe prind, u bëj thirrje prindërve që të mos i konsiderojnë trotinetët elektrikë si lodra. Përdorimi i helmetës dhe pajisjeve mbrojtëse duhet të jetë i domosdoshëm, nëse paraprakisht është arritur mosha e lejuar”, ka deklaruar ai.
Neurologu pediatrik ka kërkuar gjithashtu nga institucionet përgjegjëse që të forcojnë zbatimin e ligjit, kontrollet në terren dhe fushatat vetëdijesuese për parandalimin e aksidenteve.
“Çdo lëndim i rëndë, e sidomos çdo jetë e humbur, është një tragjedi që shpesh mund të parandalohet. Siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet i përbashkët i të gjithëve”, thekson dr. Haki Jashari. /Zëri