Protesta kundër investimit në Zvërnec në ditën e 22-të
Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sot sërish në sheshin “Skënderbej”, për të 22-tën ditë radhazi, në protestën kundër zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec.
Aktivisti Arben Kola lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku një grup protestuesish të maskuar hoqën dhe përdhosën flamurin izraelit, tha se bëhet fjalë për grupe të infiltruara mes tyre, duke shtuar se distancohen nga ky veprim.
“Mes nesh dje apo ditë të tjera ka grupe të infiltruara. Ne ndoshta në ditët në vazhdim do të dalim edhe me fytyra e emra që t’i demaskojmë. Distancohemi dhe do të mbajmë një deklaratë”, tha Kola.
Pas qëndrimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Fillimisht, pasi u mblodhën në sheshin përpara Kryeministrisë, u këndua himni kombëtar, ndërsa më tej morën fjalën qytetarë dhe aktivistë të protestës.
Me pankarta dhe flamuj në duar ata përsëritën thirrjet e tyre për ndalimin e zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec.
Protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Një protestues i ardhur nga diaspora tha se “kemi ardhur për bashkim e jo për përçarje”.
“Jemi mbledhur këtu që mos të largohet rinia ta kërkojë shpresën në botë. Shqipërinë tonë nuk e shet dot askush. Uroj që kjo protestë të mos dorëzohet ne jemi fuqia e këtij vendi”, theksoi një protestuese.
Një tjetër protestues solli në vëmendje ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011.
“Unë kam qenë këtu më 21 janar 2011. Katër shokët e mi u vranë për të sjellë në pushtet këtë zotërinë që është sot. Kam ardhur të përmend emrat e tyre se janë harruar nga çdokush. Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika, Faik Myrtaj duan drejtësi, thërrasim SPAK-un”, deklaroi ai./atsh