KFOR-i mbledh komunitetet fetare në Pejë: Përmes dialogut mund të ndërtojmë të ardhmen
Komanda Rajonale Perëndim (RC-W), në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka organizuar në Kampin “Villaggio Italia” në Pejë një takim ndërfetar me temën “Përmes zgjedhjes së dialogut, mund të ndërtojmë të ardhmen”, duke mbledhur përfaqësues të komuniteteve myslimane, ortodokse, katolike, hebraike dhe tarikatëve nga zona e përgjegjësisë së RC-W.
Takimi u drejtua nga komandanti i RC-W, koloneli Federico Mora, dhe kishte për qëllim promovimin e dialogut, mirëkuptimit dhe forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve fetare në Kosovë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, aktiviteti shërbeu si një forum i hapur dhe i paanshëm për shkëmbimin e ideve dhe nxitjen e bashkëjetesës. Diskutimet u pasuruan nga reflektime të të rinjve mbi paqen, respektin e ndërsjellë dhe jetesën e përbashkët, ndërsa nxënësit e Shkollës së Artit në Pejë prezantuan punime artistike që përcollën mesazhe të dialogut dhe harmonisë.
“Përmes zgjedhjes së dialogut, mund të ndërtojmë të ardhmen”, ishte mesazhi qendror i aktivitetit, i cili vuri në pah rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
KFOR-i theksoi se organizime të tilla pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të misionit për të bashkëpunuar me të gjitha komunitetet në Kosovë, duke nxitur mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, si dhe duke kontribuuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët.
Në njoftim rikujtohet se KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policia e Kosovës dhe EULEX-it.