Komuna e Podujevës sqaron orarin e kujdestarive të barnatoreve, paralajmëron gjoba për shkeljet
Foto: Laura Hasani

Komuna e Podujevës sqaron orarin e kujdestarive të barnatoreve, paralajmëron gjoba për shkeljet

Aktuale June 15, 2026 - 12:39

Komuna e Podujevës ka dalë me një sqarim publik lidhur me funksionimin e kujdestarive të barnatoreve gjatë natës, ditëve të diela dhe festave zyrtare, pas ankesave të qytetarëve për mosrespektim të orarit të punës.

Sipas njoftimit, barnatoret dhe farmacitë janë të obliguara të respektojnë orarin e përcaktuar të kujdestarisë, gjatë të cilit duhet të jenë të hapura dhe në shërbim të qytetarëve.

“Sipas orarit të punës, barnatoret/farmacitë obligohen të respektojnë orarin e kujdestarisë me ç’rast barnatorja/farmacia duhet të jetë e hapur e gatshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe të respektojë orarin e përcaktuar të kujdestarisë”, thuhet në sqarimin e Komunës.

Ndërkaq, jashtë këtij orari, funksionimi i barnatoreve mbetet në vullnetin e lirë të ushtrimit të aktivitetit nga vetë subjektet afariste.

Komuna ka theksuar se orari i kujdestarive është vendosur duke pasur parasysh interesin e qytetarëve, me qëllim të sigurimit të qasjes më të lehtë dhe efikase në barna dhe shërbime farmaceutike.

“Ky orar i kujdestarive është marrë duke pasur si prioritet interesin e qytetarëve, respektivisht sigurimin e qasjes më të lehtë dhe efikase në barna dhe shërbime farmaceutike”, thuhet më tej në njoftim.

Po ashtu, nga Komuna është bërë e ditur se sistemi i kujdestarive synon të garantojë trajtim të barabartë për të gjitha barnatoret, pa favorizime apo diskriminim, duke u bazuar në parimet e transparencës dhe përgjegjësisë.

Në fund, Komuna e Podujevës ka paralajmëruar se barnatoret që nuk e respektojnë orarin e kujdestarive do të gjobiten për kundërvajtje, në përputhje me Rregulloren për orarin e punës për biznese.