Dega e PDK-së në Fushë-Kosovë dënon gjuhën ndaj Rifat Jasharit: LVV-ja të distancohet dhe të kërkojë falje
Dega e PDK-së në Fushë-Kosovë shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë lidhur me “gjuhën e ulët, fyese dhe denigruese të përdorur nga qytetarja Xhevrie Ademi ndaj Rifat Jasharit, pas publikimit të pamjeve nga e pamja për Sahit Jasharin”, thuhet në reagim.
Dega e PDK-së thekson se “figura e Rifat Jasharit dhe sakrifica e familjes Jashari përbëjnë një vlerë të shenjtë për kombin tonë dhe për Republikën e Kosovës.
"Çdo sulm verbal, fyerje apo tentativë për denigrim ndaj anëtarëve të kësaj familjeje është i papranueshëm dhe cenon ndjenjat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Duke pasur parasysh se Xhevrie Ademi është person i afërt me strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë dhe se Kryetari i Komunës është parë vazhdimisht në shoqërinë dhe me përkrahjen e saj, kërkojmë nga Kryetari i Komunës dhe dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë që të distancohen menjëherë nga këto deklarata dhe të kërkojnë falje publike në emër të qytetarëve të Fushë Kosovës.
Heshtja përballë një gjuhe të tillë do të interpretohet si tolerim ose mbështetje e saj. Prandaj, presim një reagim të qartë dhe të menjëhershëm, në mënyrë që të dëshmohet se askush nuk qëndron pas fyerjeve dhe sulmeve ndaj familjeve të shenjta të Kosovës, siç është familja Jashari.
Dega e PDK-së në Fushë-Kosovë do të vazhdojë të mbrojë vlerat kombëtare, respektin institucional dhe kulturën e komunikimit publik, duke mos lejuar që gjuha e urrejtjes dhe denigrimit të normalizohet në diskursin politik dhe shoqëror.